Nga: FATMIRA NIKOLLI*
Ka reaguar dje përmes një statusi në “Facebook”, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sa u takon kritikave të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë për Restaurim, të bërë keq në Tyrben e Kapllan Pashës në Tiranë. FORUMI Dy ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë po përmes një postimi në “Facebook” shkruante: “Instituti i Monumenteve të ndalojë restaurimet! Skandalet po bëhen të njëpasnjëshme dhe po shkohet nga keq në më keq. T’i ndalojë menjëherë!

Përveç patinimit të mureve të vjetra, që tashmë është bërë një modë ‘ala Dollame’ (brekushe), monumenti mesjetar po vishet nga lart me pllaka mermeri në vend që të mbrohet me llaçe speciale hidrofugë ose me bakër. Është një trishtim të shohësh plastifikimet në seri që bëhen nëpër varret monumentale, kështjella, kulla e sahatesh, tyrbe etj. Pak përgjegjshmëri nga instancat superiore të IMK-së është më e nevojshme se kurrë”, ka shkruar dje Forumi i Trashëgimisë Kulturore, një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore”.

REAGIMI I MINISTRES
Ky më poshtë është reagimi i plotë i ministres së Kulturës: “Përkundër përbaltjes e gënjeshtrave me bisht, Tyrbja e Kapllan Pashës, po del në dritë falë punës së prof. Piro Thomos e restauratorëve. Puna dhe profesionalizmi bëjnë ndryshimin mes fjalëpakëve punëmbaruar dhe zhurmuesve të baltës. Në pak ditë mbarojmë dhe gjelbërimin e ju ftojmë ta vlerësojmë së bashku në vend dhe jo nga frëngjitë anonime të fejsbukut. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuojnë në debatin profesional të restaurimeve!

SOT DISKUTOHET PËR CILËSINE, PËR DETAJET… dhe jo më për grabitjet, shkatërrimet, ndërtimet e paligjshme, dhunimin dhe vjedhjen e Trashëgimisë Kulturore! Kjo bën ndryshim të madh dhe tregon se jemi në DREJTIMIN E DUHUR!”. Ky ka qenë reagimi i plotë i ministres, ndërkaq vetë Pirro Thomo nuk ka pranuar të flasë për ‘GSH’ të premten. Ai është pjesë e Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe është firma e tij që po bën punimet te tyrbja. Ndërkaq në datën 12 prill, restauratorja Lida Miraj publikoi një foto, ku shihej një punëtor te Tyrbja e Kapllan Pashës në Tiranë me sqepar në dorë. Për këtë pjesë reagimi i IMK konfirmonte respektimin e rregullave.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: