Historia e Migena Kodrës u vra nga kunati i saj ndërsa flinte në të njëjtin shtrat me të voglën e saj 2-vjeçare, ngjarje që tronditi opinionin publik, është sjellë sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24 të autores dhe moderatores Evis Ahmeti. Pas vrasjes së Migenës, kunati u vetëvra në oborrin e banesës, ndërsa prindërit e tij, përfshirë nënën, u zgjuan nga gjumi për shkak të të shtënave me armë.
Ngjarja mbetet gjithashtu një mister, pasi arma e krimit u gjet larg trupit të kunatit të Migenës. Bashkëshorti i Migenës pohoi asokohe se prej një viti nuk ishte në shtëpi në orët e natës, pasi punonte si taksist në turnin e tretë. Kur u pyet nga redaksia e emisionit “Zemër të Hapur”, ai tha se nuk kishte pasur asnjë konflikt të mëparshëm që mund të çonte në një veprim të tillë.
Edhe pse kanë kaluar dy vite nga kjo tragjedi, të dy fëmijët e Migenës janë në një konflikt për kujdestarinë e fëmijëve, të cilët po qëndrojnë me gjyshin dhe gjyshen. Nga njëra anë, babai i Migenës, zoti Kasemi, rrëfeu se prej më shumë se një viti po luftonte ligjërisht me dhëndrin, duke kërkuar rikthimin e fëmijëve në të njëjtën banesë ku u vra nënë e tyre. Mesa duket, gjykata ka vendosur që fëmijët të jetojnë me babain në seancën e fundit. Ndërkohë, mes lotësh, babai i viktimës kërkon sot drejtësi, ndërsa hedh dyshime se në krim mund të ketë pasur gisht dhe i shoqi i saj.
Po ashtu ai tha se kishte biseduar pak orë më parë me vajzën e tij, ndërsa kjo e fundit i kishte treguar se kishte pasur një debat të ashpër me familjen e burrit.
“Shkak kryesor ishte një kredi e butë. E kanë diskutuar në familje, ata donin ta merrnin për rikonstruksionin e shtëpisë. Ish-vjehrri i saj i tha; ik me nusen pyesni për kredi. Shkuan bashkë ata, dhe i thanë vjehrrës; nuk të lejohet ty se je invalide, por mund ta përfitojë nusja. Shkuan në shtëpi dhe nisën sherret dhe thanë; katundarja do të na marrë shtëpinë. Plasi sherri. Në vend që ta falënderonin, i futën plumbin në mes të natës. Më mori në telefon vonë, i thash a jeni mirë; mirë. Më tha; o bab janë duke më sharë, mua dhe mamin. Ishte ora 12 pa çerek. I thash të vijë të marr unë tani, jo më tha; hajde më merr më vonë. U çova në 4 e çerek, dhe shkova në lokal dhe kamerieri më tha; ore ky budallai ka vrarë kunatën. Pashë inicialet dhe më shkoi direkt mendja, oh thash është goca ime. Më mori policia pastaj dhe në tha; hajde pushoni vajzën e vogël se nuk pushon. (qan). Arma është gjetur pas shtëpisë dhe 34 milionë lekë në çatinë e shtëpisë. Hetuesia ashtu e thotë; që e vrau kunati vajzës time. Por të vrasësh veten dy herë me plumb, se di. S’ka asgjë gjurmë, janë fshirë. Vetëm vjehrra e gocës është dëshmitare e ngjarjes. Nuk e besoj se është kunati vrasësi. Është e vështirë. Por e kam lënë në dorë të drejtësisë. Orën e saktë të vdekjes nuk e dimë. Nuk i ka lajmëruar policinë ata, por fqinjët. Kur e pyeta gocën se pse pas sherrit nuk merrte në telefon burrin, ajo më tha; nuk ma hap. Unë kam besim te drejtësia, po e pres.”, tha ai.
Ndërkohë në një telefonatë për emisionin ditën e sotme, bashkëshorti i Migena Kodrës, pohoi se çështjen ia kishte lënë drejtësisë, ndërsa shtoi se nuk donte të fliste për gjëra personale. “Po bëj 1 vit e gjysmë që nuk shoh fëmijët. Ia kam lënë çështjen gjykatës. Nuk dua të flas, janë gjërat tona personale. Hajde shëndet, ciao ciao”, tha burri i të ndjerës.
