Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, është takuar sot me tregtarët e Vlorës, të cilët protestojnë prej ditësh kundër vendimit të bashkisë për zhvendosjen e tyre nga zona e Tregut Industrial, për të hapur rrugë për rindërtimin e tij.

Gjatë takimit, Spiropali pranoi se nuk kishte qenë në dijeni të plotë të situatës dhe premtoi se do të bisedojë me kryetaren e bashkisë dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak për të kuptuar më nga afër problematikën e tregtarëve. “Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e këshillit bashkiak që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, u shpreh ajo.

Tregtarët protestojnë pasi nuk janë dakord me vendimin e bashkisë për ngritjen e dy tregjeve të përkohshme: tregu i fruta-perimeve në lagjen “24 Maji” dhe tregtimi i mallrave të tjera në zonën industriale të Çolës. Ata kërkojnë që zhvendosja të bëhet në zona më pranë qytetit, për të mos humbur klientelën dhe për të shmangur rrezikun e falimentimit.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tregtarët paralajmërojnë protesta të mëtejshme deri sa të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë palët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb