Ballkani, Ferizaj dhe Dukagjini janë skuadrat që e kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, teksa skuadra e fundit do të mësohet nesër në përballjen Llapi-Malisheva. Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 2:1 ndaj Gjilanit në çerekfinale. Bleart Tolaj kaloi vendasit në epërsi në minutën e 13-të, ndërsa Geralb Smajli dyfishoi shifrat në minutën e 40-të. Ndërkaq, golin e vetëm për Gjilanin e realizoi Senad Jaroviq, në minutën e 71-të. Kësisoj, Ballkani krahas luftës për titull, do të vazhdojë edhe garën për kupë. Fitore në shtëpi shënoi edhe Ferizaj, që e mposhti skuadrën e Ligës së Parë, Vushtrrinë, me rezultat 2:0. Epërsia e vendasve erdhi pas një autogoli të portierit mysafir, Marly Prince Heritier Koubassanath, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Erion Sadriu nga penalltia në minutën e 75-të. Fitore edhe më bindëse para tifozëve të vet dhe po ashtu ndaj një skuadre të Ligës së Parë realizoi edhe Dukagjini, që e mposhti Feronikelin 74, me shifrat 3:0. Dient Isufi (17’), Altin Mërlaku (39’) dhe Mërgim Pefqeli (72’) realizuan për Dukagjinin, duke ia siguruar kalimin në mesin e katër skuadrave më të mira të kësaj gare.

Çerekfinalja

Dukagjini – Feronikeli 74 3:0

Ballkani – Gjilani 2:1

Ferizaj – Vushtrria 2:0

Llapi – Malisheva, të enjten

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb