Futbolli i të rinjve ishte në qendër të vëmendjes në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u zhvilluan ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19, duke përcaktuar çiftet finaliste për secilën kategori.
Në kategorinë U-17, Tirana dhe Partizani dhuruan spektakël në një përballje të luftuar deri në fund. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, ndërsa nga pika e penalltive më e saktë u tregua Tirana, e cila fitoi 4-2 dhe siguroi biletën për në finale.
Në gjysmëfinalen tjetër, Teuta dominoi ndaj Skënderbeut, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-1 dhe duke u kualifikuar për në finale. Finalja e Kupës së Shqipërisë U-17 është Teuta – Tirana.
Emocione dhe rivalitet dhuruan edhe ndeshjet e vlefshme për Kupën e Shqipërisë U-19. Partizani arriti një fitore të rëndësishme ndaj Dinamo City me rezultatin 4-1 dhe duke siguruar kualifikimin në finale.
Ndërkohë, Teuta mposhti Laçin me rezultatin 2-0 dhe preu biletën për finalen e kësaj kategorie.
Në finalen e Kupës së Shqipërisë U-19 do të përballen Teuta dhe Partizani.
