Kanë përfunduar ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për grupmoshat U-17 dhe U-19, duke përcaktuar ekipet që vijojnë rrugëtimin drejt trofeut në këtë edicion.
Në kategorinë U-17, në gjysmëfinale janë kualifikuar Teuta, Skënderbeu, Tirana dhe Partizani. Partizani regjistroi një fitore të thellë ndaj Dinamo City me rezultatin 3-0, ndërsa Tirana mposhti Apoloninë 2-1. Skënderbeu siguroi kualifikimin pas fitores 2-0 ndaj Vorës, ndërsa sfida mes Vllaznisë dhe Teutës u mbyll 1-1 në kohën e rregullt. Nga goditjet e penalltive, Teuta u tregua më e saktë, duke triumfuar 5-4.
Në fazën gjysmëfinale të U-17, Teuta do të përballet me Skënderbeun, ndërsa Tirana me Partizanin.
Edhe në kategorinë U-19 janë përcaktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste të këtij edicioni.
Dinamo City, Partizani, Teuta dhe Laçi kanë siguruar një vend mes katër më të mirave.
Partizani fitoi bindshëm ndaj Skënderbeut me rezultatin 5-1, ndërsa Teuta triumfoi 2-0 përballë Apolonisë.
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Dinamo City përfundoi pa gola në kohën e rregullt dhe u vendos nga penalltitë, ku Dinamo City fitoi 3-1.
Takimi mes Laçit dhe Bylisit nuk u zhvillua, pasi ekipi i Bylisit nuk u paraqit në ndeshje. Në bazë të rregullores, Laçi u kualifikua automatikisht në gjysmëfinale.
Rezultatet e çerekfinaleve:
U-17:
Tirana-Apolonia 2-1
Partizani-Dinamo City 3-0
Vllaznia-Teuta 1-1 P(4-5)
Vora-Skënderbeu 0-2
U-19:
Vllaznia-Dinamo 0-0 P(1-3)
Partizani-Skënderbeu 5-1
Apolonia-Teuta 0-2
Laçi-Bylis
Gjysmëfinalet
U17:
Teuta-Skënderbeu
Tirana-Partizani
U19:
Dinamo City – Partizani
Teuta – Laçi
