Nga: MARIGLEN MERTIRI*
TIRANË- Të marrësh kupon tatimor pas çdo shërbimi të ofruar, do të thotë të respektosh jo vetëm ligjin, por edhe veten dhe të drejtat duke u siguruar që me paratë e tua, nuk pasurohet dikush pa paguar detyrimet ndaj shtetit.

Megjithëse 10 ditë kanë mbetur nga fillimi i aksionit kundër informalitetit të shpallur nga qeveria, sipas së cilës 30% e bizneseve nuk lëshojnë fatura fiskale, ajo çfarë ende mbetet e panjohur, është roli i konsumatorit në Shqipëri. Të pandërgjegjësuar dhe pak të informuar mbi domosdoshmërinë e tërheqjes së kuponit tatimor, shumica e konsumatorëve e neglizhojnë këtë detyrim duke hapur vetë dritën jeshile për informalitet.

“Tani për tani nuk kemi marrë, nuk na e japin dyqanet. Ndonjëherë na e japin ndonjëherë nuk na e japin dyqanet, dje piva kafe në një lokal dhe i kërkova kuponin, por çe do kuponin mo xhaxhi më tha. Ajo është korrekstësi në gjithë botën, ne ikim në të kundërt. Nuk i japin gjithmonë, me raste që blej në supermarkete, e vërteta është që nuk jua kërkoj gjithmonë. Unë ua kërkoj në urbanë dhe dyqane dhe ma japin por pjesa më e madhe na i japin vetë. Herë na e japin herë jo, edhe ne neglizhojmë vetë”- shprehen qytetarët.

Ka edhe nga ata qytetarët që edhe pse në vendet ku jetojnë kuponin nuk lenë pa e marrë, kur vijnë në Shqipëri deklarojnë se aty ku kanë blerë, nuk i kanë pajisur me kupon tatimor.

“Vijmë nga jashtë, jemi me pushime, nuk na kanë dhënë kupon, është detyrë e dyqanxhiut po aq sa e klientit mendoj”- shprehen dy emigrantë shqiptarë.

Por edhe ato biznese që kanë mundur të shmangin sadopak taksat këto kohë, kanë filluar ndërgjegjësimin pasi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit radhët e gjata për të nxjerrë një numër nipti sa vijnë e shtohen pasi penaliteti pas 10 ditësh për ta mund të kushtojnë më shumë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: