“Demokracia nuk vdes me një goditje, por me mijëra kompromise të vogla” Alexis de Tocqueville1
Ky paralajmërim shërben si pikënisja më e mirë për të kuptuar se ku ndodhemi sot në prag të një Reforme të re Zgjedhore dhe Territoriale. Shqipëria nuk po përballet thjesht me nevojën për të ndryshuar disa nene teknike në Kodin Zgjedhor apo për të rishikuar kufijtë administrativë të bashkive. Ne jemi përballë një sfide kombëtare: a do të arrijmë të korrigjojmë gabimet fatale të së kaluarës që kanë thelluar deficitin demokratik dhe favorizuar autokracitë? Do të bëjmë reformat e domosdoshme politike që reduktojnë deficitin demokratik dhe ndalim riskun në rritje të një autokracive që vrasin demokracinë? Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin kompromisi jo i vogël që e dëmtoi rëndë demokracinë. Kryetarët e partive u kthyen në “pushtues” të të gjitha pushteteve brenda partive të tyre. Shumica e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive u vetëshndërruan në manekinë politikë vetëm për mbijetesën e tyre personale.
Ristrukturimet administrative i shndërruan bashkitë në departamente të qeverisë dhe jo në institucione të zgjedhura me votat e qytetarëve për të dhënë llogari, jo tek kryetari i partisë, por tek votuesit e tyre. Reforma kushtetuese 2008 i shndërroi partitë politike nga institucione të debatit dhe meritokracisë në struktura ku kryetari që zotëron 100% të “aksioneve” vendimmarrëse vetëm për mbijetesë personale dhe pushtet absolut. Kalimi në sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura u keqpërdor për të emëruar jo kandidatët me mbështetjen më të madhe në bazë, por individët më besnikë. Parlament sillet si një noter i thjeshtë i vullnetit të një kryeministrave. Në parlamentin tonë deputetët janë të ndaluar të votojnë kundër projekt-ligjeve dhe reformave. Aktualisht votuesit mund të zgjedhin me votë të drejtpërdrejtë vetëm kryetarët e bashkive. Të gjithë hallkat e tjera të pushtetit janë produkt i emërimeve apo listave të paracaktuara dhe të parapëlqyera personale të kryetareve të partive. Për të kuptuar se sa larg standardeve perëndimore jemi, duhet të shohim modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një sistem që bazohet në kontrollin dhe balancën e rreptë të pushteteve (check and balance). Për të garantuar që asnjë pushtet të mos mbetet i pakontrolluar, sistemi amerikan aplikon zgjedhjet e ndërmjetme (Midterm Elections) në çdo dy vite. Ky është një proces ritestimi ku 100% e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve (435 vende) dhe rreth një e treta e Senatit (33-34) nga 100 gjithsej kthehen te kutia e votimit.
Nëse populli nuk është i kënaqur me performancën e Presidentit në dy vitet e para, ai ndëshkon partinë e tij në Midterms, duke ia hequr mazhorancën në njërën nga dhomat. Kjo e detyron politikën të ulet në kompromis dhe të punojë për interesin publik. Kongresmenët dhe senatorët nuk ia kanë borxh mandatin kryetarit të partisë, por qytetarit që e ka përzgjedhur drejtpërdrejtë. Ata votojnë kundër propozimeve të ekzekutivit, nëse ato dëmtojnë interesat e zonës së tyre elektorale. Ky është thelbi i demokracisë: përgjegjshmëria para votuesit. Në kontrast, vendi ynë vazhdon vuan nga ajo që nobelisti i ekonomisë Daron Acemoglu2 , e cilëson si dështim institucional. Ai thekson se: prosperiteti afatgjatë nuk vjen nga forca apo karizma e liderëve, por nga forca dhe qëndrueshmëria e institucioneve.
Vendi ynë nga Freedom House klasifikohet si një “regjim hibridi 46/100, është një nivel i ulët që na mban shumë larg demokracive funksionale. Kjo reflektohet qartë në rënien drastike të pjesëmarrjes zgjedhore. Në zgjedhjet e pjesshme vendore 2026 në disa bashki pjesëmarrja ishte nën 20% të votuesve të regjistruar. Ky nivel zhgënjimi është një kambanë alarmi që nuk duhet nënvleftësuar. Reforma Territoriale e vitit 2014 u prezantua si një mjet për rritjen e efikasitetit, në praktikë rezultoi një “decentralizim në letër dhe centralizim në praktikë”. Asnjë prej objektivave të asaj reforme nuk është arritur, përkundrazi është përkeqësuar. Duke ulur numrin e bashkive, duke “vjedhur” kompetencat e tyre, duke përqendruar shërbimet e tyre publike në nivel kombëtarë, duke rritur distancën fizike dhe politike mes qytetarit dhe vendimmarrësit, demokracia lokale është zbehur. Një bashki më e madhe nuk është automatikisht qeverisje më e mirë. Kjo ndodh kur kontrolli qytetar mbi administratën është i pamundur. Sot, pushteti vendor është më i varur se kurrë nga qeveria duke e kthyer kryetarin e bashkisë në një lloj “prefekti” politik i kryeministrit dhe jo i zgjedhuri votuesve të tij.
Pasojat e deficitit demokratik ndjehen edhe në ekonomi, duke nxitur lehtësuar dhe nxitur korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Kostoja më e madhe e rritjes së deficitit demokratik dhe rritjes së autokracisë është zhgënjimi dhe emigrimi masiv. Kur të rinjtë shohin se suksesi i tyre nuk varet nga aftësitë, por nga afërsia me “pronarët” e partive, ata zgjedhin të largohen. Humbja e kapitalit njerëzor është sfida mbijetuese që vendi ynë po paguan për shkak të mungesës së perspektivës në një sistem ku meritokracia është asgjësuar. Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrative janë momenti i duhur për përmirësimet e domosdoshme dhe të dobishme të demokracisë funksionale. Bazuar në marrëveshjet e mëparshme risku i keq përdorimit të dy reformave për absolutizmin e pushteteve absolute të kryetarëve të partive është real, i madh dhe kërcënues.
Reforma Territoriale duhet të rishikohet jo për të ndryshuar sërish hartat, por për të rritur autonominë ekonomike dhe financiare të bashkive. Duhet të kalojmë në një sistem ku këshilltari bashkiak zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit që përfaqëson dhe jo nga lista emërore preferenciale dhe abuzuese të kryetarëve të partive. Nëse ne dështojmë t’i kthejmë qytetarit fuqinë e vendimmarrjes, ne po konsolidojmë një model qeverisjeje që na kushton shumë. Demokracia është një proces i vazhdueshëm që kërkon llogaridhënie çdo ditë, jo vetëm një herë në katër vite. Timothy Snyder3 : na paralajmëron se: “Kur qytetarët ndalojnë së besuari se vota e tyre ka vlerë, autokracia fiton pa luftë”.
1 Alexis de Tocqueville (1805 –1859) një nga analistët më vizionarë të demokracisë modern dhe Paralajmëruesi i “Tiranisë së Shumicës”: 2 Daron Acemoglu fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi (2024). Autokracitë dhe regjimet hibride – “Ato që janë krijuar për të nxjerrë pasurinë nga shumica e popullsisë për t’ia kaluar një elite të vogël 3 Timothy Snyder Profesor i Historisë (Richard C. Levin) në Universitetin e Yale ,Ekspert i “Tiranisë” dhe Autokracive moderne.
