Një mbrëmje festive u kthye në tragjedi të shtunën në mbrëmje (31 janar) në një qendër të njohur argëtimi në Gorgopotamos, ku një burrë 74-vjeçar humbi jetën pasi pësoi një atak në zemër teksa kërcente.
Sipas mediave greke, 74-vjeçari ishte ngritur për të kërcyer gjatë festës, kur papritur u ndje keq dhe u rrëzua në vend. Një mjek që ndodhej i pranishëm në aktivitet reagoi menjëherë duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke nisur manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR).
Fatkeqësisht, përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme. Ai u transportua pa ndjenja në Spitalin e Përgjithshëm të Lamias, ku mjekët konfirmuan ndarjen e tij nga jeta.
