Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare” u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “Këtë libër e shkrova i motivuar e i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të të vërtetave për forcat speciale shqiptare.
Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” vazhdon sot pjesën e shtatë të publikimit të këtij libri, që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.
Në ditët e para të marsit u përhapen lajme të rremë në opinionin publik se në porte do të vijnë mjete të transportit detar për të ndihmuar shqiptarët që të emigrojnë. Ky njoftim kishte dy anë, së pari sillte bllokim të punës në porte e përballje të policisë me popullin dhe së dyti, përhapte pasiguri e frikë në vend për gjendjen alarmante të rendit publik. Fillimisht pati grumbullime e tendencë për të zaptuar portin e Vlorës dhe atë të Zvërnecit, rast që forcat e shërbimit të kufirit në ruajtjen e portit nuk munden të ndalojnë turmat që sulmuan të merrnin me forcë mjetet e transportit detar. Sipas shtypit të kohës, aty u grumbulluan me mijëra vetë, duke pritur ardhjen e mjeteve të transportit detar nga shteti fqinj, Italia. Një grup demonstruesish mundi të rrëmbejë me forcë edhe një rimorkiator, por më pas, me ndërhyrjen e forcave të tjera të policisë, u rivendos gjendja në port, ndonëse pati shumë vetë të plagosur nga të dyja palët. Ende pa u mbyllur “plagët” e sulmit në Vlorë, të nesërmen shpërtheu sulmi në portin e Durrësit, ku ishin ankoruar anijet e transportit me tonazh të madh, “Ismet Zhura”, “Kavaja”, “Tomorri”, “Haxhi Shehu”, “Tirana”, “Liria”, “Apolonia”, duke sjellë një pështjellim të paimagjinuar e dëm ekonomik të pallogaritshëm. Për ngjarjet në portin e Durrësit, përveç kësaj që u përmend këtu, është një dosje e posaçme me të dhëna e informacione sekrete, prej nga shkëputa pak rreshta të një shkrese, në të cilën përmendet se në datat 5-7.03.1991 mijëra vetë rrëmbyen mjetet e lundrimit detar dhe mbi 20 mijë vetë kaluan kufirin duke rrëmbyer 27 mjete lundrimi, prej tyre 7 peshkarexha (2 të Durrësit, 4 të Vlorës dhe një e Lezhës), 11 anije të flotës tregtare, 7 mjete detare dhe 2 anije të huaja. Informacioni përmend edhe rastin e anijes “Partizani”, mbushur me mbi tre mijë vetë, të cilët u detyruan të zbrisnin me forcë pas ndërhyrjes së repartit 326, ku pati 11 të plagosur. E ndodhur para kësaj gjendjeje në portin e Durrësit, që vijonte të mbante emrin “Enver Hoxha”, qeveria u detyrua të caktojë edhe forcat e ushtrisë për mbrojtjen e tij, dokumentuar kjo përkatësisht me urdhrat nr.218, datë 19.03.1991 të ministrit të MPB, Gramoz Ruçi dhe nr.52, datë 19.03.1991, të ministrit të MMP, Kiço Mustaqi, titulluar në lëndë: “Për ruajtjen e portit detar Durrës nga forcat e Ushtrisë dhe ato të MPB”. Ndërkohë ministri Ruçi, i alarmuar për gjendjen e rendit në vend i kërkoi ministrit të Mbrojtjes zgjidhjen urgjente të problemit për lëshimin e ambienteve, sepse duhet të dislokohen Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke përmendur 3 batalione në Shkodër (të vendosen në godinën e sanatoriumit); batalionin e Jorgucatit në Gjirokastër (të vendoset në Leknjas ose në Grehot); batalionin e Livadhjasë në Sarandë (të vendoset në Qafë Gjashtë, në mjediset e shtabit të mbrojtjes së rrethit); batalionin e Vlorës (të afrohet në qendrën e stërvitjes së divizionit), batalionin e Drojës, në varësi të Tiranës (të vendoset në mjediset e regjimentit të radiozbulimit, në afërsi të Pallatit të Brigadave). Ruçi e cilëson urgjente këtë zgjidhje, teksa shkroi: “…vënia në gatishmëri e këtyre reparteve është më se akute” e nga shqetësimi i madh që po kalojnë strukturat e MPB e ka dërguar shkresën për njoftim edhe në Këshillin e Mbrojtjes.
Pas zmbrapsjes së këtyre sulmeve, në port, sambistët nuk patën fatin të qëndronin pushim, mbasi në të njëjtën kohë që sulmohej porti i Durrësit, grupe njerëzish, në mbrëmjen e datës 6 mars, tentuan të futen në ambasadat e huaja në Tiranë, por duke mos mundur të depërtojnë në gardhin e policisë kaluan në veprime agresive që sollën thyerjen e xhamave të lokaleve, duke i shoqëruar këto veprime me hedhjen e ngarkesave me lëndë eksplozive dhe përdorimin e armëve të zjarrit në 3-4 drejtime, veprime të cilat sollën pasojë plagosjen e një polici, vrasjen e një shtetasi si dhe plagosjen e 7 personave të tjerë. Sipas njoftimit që publikoi zëdhënësi i MPB në këtë rast u ndaluan 24 persona të dyshuar për kryerjen e akteve vandaliste.
Nisur nga shqetësimet që po krijoheshin në vend, Këshilli i Ministrave bëri një mbledhje urgjente dhe doli në një komunikatë publike për të sqaruar qytetarët, duke bërë të njohur se: me mijëra njerëz kanë rrëmbyer anijet shqiptare e të huaja për t’u nisur drejt Italisë. Ky akt ka krijuar një gjendje të jashtëzakonshme, akuzoi se kjo është bërë me nxitjen e armiqve të brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë; çfarë po ndodh është pjesë e skenarit destabilizues për të penguar proceset demokratike në vend; u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të ndërpresin veprime të tilla destruktive.
Situata e krijuar në porte, sidomos bllokimi i punës së mjeteve të transportit detar e hekurudhor, u vlerësua shqetësuese nga qeveria, e cila duke gjykuar se forcat e rendit duhet të angazhohen me problemet e sigurisë, nxori një akt që e shpalli portin e Durrësit “zonë ushtarake”, e me këtë rast aty u caktuan në detyrë repartet e zbulimit ushtarak të divizioneve të Shijakut, Laçit, Vlorës e Fierit, të cilët organizuan shërbimin jo vetëm të ruajtjes, por edhe të mbrojtjes së portit nga sulmet e pritshme të demonstruesve.
Shifrat e kriminalitetit janë alarmante për tremujorin e parë të vitit 1991. Sipas të dhënave nga disa DRP të rretheve janë shënuar: Peshkopia 83 vepra penale (nuk jepen rastet e vjedhjeve të pasurisë shtetërore-312 raste, evidentuar 1517 autorë); Kukësi 30 vepra penale; Shkodra 160, Skrapari 36; Librazhdi 44; Durrësi 107; Tepelena 10; Erseka 26; Gramshi 21; Kruja 41; Korça 131; Puka 20; Pogradeci 6; Saranda 28; Berati 112; Lushnja 103. Janë regjistruar vrasje, plagosje të rënda e plagosje të lehta, tentativa për vrasje, vjedhje të ndryshme, marrëdhënie seksuale me dhunë etj.
Sambistët nuk morën kritika as për ngjarjet e 2 prillit në Shkodër. Shkrimi “Demokracia e paszgjedhjeve ‘të lira’ mori goditjen e parë”, nuk ka asnjë kritikë për forcat speciale, por vetëm evidentoi si u zhvillua ngjarja dhe përmendi se janë vrarë tre vetë (përmend emrat: Arben Broci, Ilir Bishanaku e Besnik Ceka) dhe plagosur 58 të tjerë. Ndryshe sa shkroi “RD”, gazeta e qeverisë shkroi më gjatë për sa ndodhi më 2 prill 1991. Kryeartikulli i kësaj gazete ishte Komunikata e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe e Këshillit Presidencial, e cila në analizë të asaj që kishte ndodhur në Shkodër: shpalli se janë autorizuar organet e ruajtjes së rendit për të vepruar me të gjitha mjetet ligjore për ndalimin e manifestimeve të paautorizuara dhe për mbrojtjen e institucioneve publike; prezantoi shqetësimin se grupe terroristësh në qytetin e Shkodrës sulmuan dhe vunë zjarrin në godinat e Komitetit të Partisë së Punës dhe hodhën parullat “Shkodra Republikë”, u drejtoi thirrje shqiptarëve për qetësi e urtësi, u kërkoi subjekteve politike të angazhohen konkretisht për stabilizimin e situatës në vend.
Ndërkohë MPB, nëpërmjet zëdhënësit, këtë ditë njoftoi shqiptarët se në qytetin e Shkodrës, më 2 prill, pati grumbullime njerëzish para selisë së PD-së, të cilët prej andej shkuan para godinës së Komitetit të Partisë së Punës, duke hedhur parulla “Do marrim pushtetin me dhunë”, “Shkodra Republikë”, më pas hodhën shishe me lëndë djegëse e ngarkesa me lëndë plasëse, në vijim sulmuan personelin e rojeve në objekt dhe u morën 2 automatikë e një pistoletë, goditen forcat e ruajtjes së rendit me të gjitha mjetet e për pasojë u plagosen 13 punonjës policie, prej tyre dy me armë zjarri, u vranë 3 demonstrues dhe u plagosen 11 të tjerë, si dhe u rrahën e u plagosen punonjësit e Komitetit të Partisë, madje edhe sekretari i këtij komiteti.
PROTESTAT
Ndërsa politika intensifikoi protestat antiqeveritare dhe ndërthuri larmi metodash e formash, ajo nuk la pa shfrytëzuar fatkeqësinë e vrasjes së katër djemve të Shkodrës, duke marrë pa dashje mbi vete dyshime se ajo mund të ishte “gjakësorja” e flijimit të 2 prillit, teksa i binte fuqishëm trumbetës së ndëshkimit të “fajtorëve”, që me sa duket paskan qenë viktima të një kurthi. Një nga anëtarët e PD, dega Shkodër, Ali Spahija, duke folur në parlament, kërkoi në emër të popullit të këtij rrethi ndëshkimin e fajtorëve, duke akuzuar policinë, por pa mundur të bëjë asnjë akuzë konkrete për sambistët, edhe pse ai ishte njëri prej atyre që kërkonin me këmbëngulje largimin e tyre të menjëhershëm nga qyteti verior. Edhe kalemxhinjtë e tjerë mundohen të shkruajnë kundër policisë, për ta dekurajuar në plotësimin e detyrave ligjore. Madje ka prej tyre, sikurse një farë Bujar Xhaferri, i cili në rubrikën e gazetës ‘RD’, me tematikë Shoqata “Sampistë të Enverit”, publikoi artikullin ironik: “Sampistët-bunkerët e gjallë”, në të cilin, ndër të tjera, ka shkruar: “…Në fakt ata nuk janë sambistë të repartit 326 dhe as policë të zakonshëm. Por unë s’di si t’i quaj: rrahës, grushtierë. Ata i përkasin një soji të ri policesk, një race që u shfaq fill pas shpalljes së pluralizmit. Oborret e policive janë mbushur më plot të tillë, por ata nuk janë policë. Policët janë të rruar dhe të qethur sipas normave komuniste, kurse këta mund të jenë edhe mustakoçë, mjekëroshë, ose leshragjatë. Thonë se i kanë rekrutuar prej fshatrave të periferive, besoj për të forcuar aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste. Rroga e tyre prej 650 lekë në muaj s’është ndonjë gjë e madhe, po të kemi parasysh se 500 lekë në muaj kanë arritur të marrin edhe punëtorë të ndryshëm nëpër ndërmarrje. Sidoqoftë, ata kompensohen pak me ushqimin që arrin deri në 400 lekë në muaj. Marrin edhe shpërblime, pas çdo aksioni. Pastaj kostumet e buta (dua të them prej pambuku ose stofi) i kanë falas, e po kështu edhe kostumet e forta tip-koracë. Mandej falas ata kanë edhe parzmoret, shqytat, skafandrat, pistoletat, automatikët, thikat, hanxharët…”. Më poshtë artikullshkruesi me emrin zemërmadh “Bujar”, ironizon sambistët: “Nuk dihet numri i tyre, por thonë se janë qindra. Çdo ditë, pas leximit të ‘Zërit të Popullit’ në mëngjes, ata marrin mësime praktike prej specialistëve. Ushtrohen në akrobacira, hedhje shqelmash, goditje me qytë, lojë boksi… Ata godasin drejtpërdrejt, pa hile. Stili i tyre është i ngjashëm me atë të gazetarëve të “Zërit të Popullit”. Sikur të kishin në pajisjet e tyre qoftë edhe një laps, me siguri ndonjëri nga ata, me sukses, mund të ishte edhe korrespondent i “Zërit…”. Nuk kanë shumë ndryshim prej bunkerëve, veçse bunkerët janë statikë. Në të kundërt, këta janë bunkerë të gjallë. Në ndërgjegjen e arkitektit të bunkerëve do të ketë mbetur ndonjë vatër e shuar prej trishtimit që këta bunkerë nuk funksionuan, se s’u bë asnjë luftë. Mëkat! Në fund të fundit tërë ata bunkerë e donin një luftë! Por ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi, nga i cili varen drejtpërdrejt këta bunkerë të gjallë, nuk do t’ia lejojë vetes këtë lloj trishtimi. Ai, kur të dojë i kalon këta tipa sambistësh nga ambientet ku ata marrin “mësim” në një proces tjetër, në mësimdhënie, domethënë në betejat me thyerje dhëmbësh e shtrembërime krahësh. Sa është numri i tyre dhe si quhen këta! Numri i tyre është sekret, por thonë se çdo qytetar do të ketë si hije rrahësin përkatës që s’do ta lërë të gabojë. Qytetari dhe rrahësi i tij do të jenë të ngjitur me njëri-tjetrin si vëllezërit siamezë. Sa për emërtimin rrahës, ose kastigues, ose sambistë (hamendje të mijat), ndoshta do të jetë i pasaktë. Po të shtrohej çështja e emërtimit të tyre në ndonjë mbledhje të shoqatës së Enverit, ndoshta në stilin e tyre të përhershëm, ata do të t’i emërtonin “sambistë të Enverit”. Pas këtij emërtimi detyra e tyre s’do të ngjante aspak me dhunën fizike. Ky emërtim kaq engjëllor përjashton çdo lloj dhune…”. Në fund autori ka shënuar se sambistët e mësipërm që veprojnë në qytetet Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Lushnjë, Tiranë, Berat etj., nuk kanë pasur asnjë ankesë për rrogën dhe trajtimin e tyre ushqimor. Madje, sipas ironikut Bujar, “thumbimi” vazhdon: “Madje s’i janë nënshtruar asnjëherë 80-përqindëshit, pasi s’u ka munguar asnjë ditë lënda e parë. Qeveria mund të shikonte pak ngritjen e rrogave të dentistëve”!
Nuk duhet fshehur e vërteta për qëndrimet kritike ndaj repartit special nr.326 në gjashtë mujorin e parë të vitit 1991. Më 12 prill, trembëdhjetë deputetë të rrethit të Durrësit, i kërkuan zyrtarisht kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Fatmir Minguli: “Në rrethin e Durrësit të mos futet efektivi i repartit sambist nr.326, mbasi vetë prezenca e tyre acaron masat paqësore të popullit. Repartet e Policisë të mos bëjnë demonstrime force në qytet, duke patrulluar në rrugët e qytetit me armë zjarri”.
3 EKIPET E FUTBOLLIT
Nga padija, shumë qytetarë akuzojnë padrejtësisht specialët, por ndërkohë përcjellin edhe shqetësim edhe paragjykim të ushqyer nga politika opozitare, e cila i shikonte pengesë specialët në veprimtarinë e saj kundër qeverisë. Në këtë vorbull përfshihen edhe njerëz të arsimuar, sikurse ndodhi me trajnerët e ekipeve të futbollit për të rinj, të klubeve “17 Nëntori”, “Partizani” e “Dinamo”, përkatësisht Seit Hyseni, Xhoxhi Lekbello e Eduart Dervishi, të cilët publikuan një akuzë të rëndë, titulluar: “Tani reparti 326 po sulmon fëmijët-kërkojmë nga Parlamenti të vërë dorë mbi këtë repart”. Shkrimi u botua në gazetën “RD”, me përmbajtjen në vijim: Ngjarja që do t’ju tregojmë nuk është ndonjë “skenar” i përgatitur nga kalemxhinjtë e tavolinave zyrtare, as edhe të ndonjërit nga ne që po shkruajmë. Atë e jetuam ne, të tre trajnerët, shoferi i autobusit të “17 Nëntorit”, Bujar Luga dhe 48 “pionierët e Enverit”. Këto ditë ne ishim në spartakiadën e pionierëve në Durrës. Mbasi mbaruam ndeshjen, fëmijët e klubeve “17 Nëntori”, “Partizani”, “Dinamo”, po ktheheshin për në Tiranë. Ishte ditë e shtunë, datë 27 prill. Rrugës fëmijët këndonin e luanin me njëri-tjetrin, në autobus. Shumica e njerëzve rrugës, kryesisht fshatarë, kur kalonin pranë tyre ngrinin dy gishtat lart dhe disa nga fëmijët iu përgjigjeshin po ashtu. Kuptohet, jo të gjithë. Secili prej tyre ishte në “botën” e vet. Disa i kishte marrë malli për shokët, prindërit, të afërmit. Por qe e thënë që kjo atmosferë e gëzuar të prishej në hyrje të Tiranës. Mbasi kaloi urën e Beshirit, autobusin tonë e sulmuan me gurë një grup sambistësh të repartit tashmë të famshëm nr.326. Ata ishin duke vrapuar gjatë rrugës, duke u stërvitur afër shkollës së tyre. Xhamat e autobusit u thyen dhe ne ndaluam menjëherë. Shkaku? Disa fëmijë i kishin “kërcënuar” e “fyer” duke ngritur dy gishtat lart. “Trimat” filluan nga kërcënimet e poshtërimet nga më të ndyrat. Bile njëri nga ata që nga xhami i thyer i autobusit vodhi një bluzë tutash. Një fëmijë e pa dhe bërtiti “Më vodhi bluzën”. Por ku pyesnin ata? Duhet të rrije urtë, se ndryshe… Fëmijët u tulatën! Ishte me të vërtetë një skenë prekëse. Nuk mund ta përshkruajmë mirë ashtu siç u ndjemë. Të gjithë ngjarjen e panë edhe njerëzit që udhëtonin me makinën me targë TR 00-219 e ndërmarrjes blegtorale me shofer Edmond Xhazhiu. Çfarë kërkojmë? Kërkojmë nga parlamenti pluralist të vërë dorë mbi këtë repart famëkeq. Kudo ku kanë shkelur ata, kanë ndodhur trazira e ngjarje tronditëse. Dhe sa do livadhisin kështu pa fre e pa u ndëshkuar? Dëshmitarë për këtë ngjarje janë 48 fëmijë, bijë punëtorësh, komunistësh, demokratësh, nëpunësish, të cilët kërkojnë sigurimin e qetësinë e jetës së tyre, jemi ne 3 trajnerë, edukatorë të brezit të ri, që kemi shumë vjet si kuadro të arsimit, janë edhe dy shoferët”.
MITINGJET E PD
Akuzat e padrejta e subjektive ndaj specialëve shpalosen në të gjitha tubimet e organizuara nga Partia Demokratike, madje duke i publikuar edhe në shtypin e saj. Emin Barçi, një kalemxhi i asaj gazete në atë kohë, shkroi “326-a në kronikë”, i cili aludoi e akuzoi se kudo që veprojnë policia janë sambistët. Ai theksoi se në Gradishtë të Lushnjës, në Durrës, në Korçë, kudo ku pati përballje me policinë ishin të pranishëm sambistët. Edhe pse ai shkroi me dorën e tij “batalioni i ndërhyrjes së shpejtë në Korçë” përsëri akuzoi padrejtësisht sambistët e repartit nr.326. Shkrimi i tij e kapërcen etikën e gazetarit, kur akuzon se sambistët përbëhen “nga toga dhune pa shkak”. Ka edhe raste që vetë artikullshkruesit kanë përgënjeshtruar sa kanë akuzuar dhe kanë sqaruar opinionin publik për akuzat e pavërteta për policët e repartit nr.326, sikurse ndodhi me trajnerët e futbollit, përmendur më sipër, të cilët më 11 maj, ndër të tjera sqaruan se: “E dinim që ishte reparti nr.326, por ja që paska dhe të tjerë reparte dhune”, duke pohuar se çdo fjalë që kanë shkruar më parë është e saktë, por policët janë efektiv i FNSH të repartit nr.711, në Kombinat, komanda e të cilëve u angazhua se do të merrte masat e duhura. Në sqarim shkruhet se autorët u kërkojnë ndjesë sambistëve të repartit 326, duke sqaruar se: “…e dinim se ka vetëm një repart sambistësh”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
