Zbulohet e vërteta e tranferimit tek Arsenali i ish-talentit rus Andrej Arshavin. “Topçinjtë” i paguan asokohe skuadrës ruse, Zenitit të Shën Pjetërburgut, plot 17.5 milionë euro për kartonin e bjondit shpërthyes, ndërsa pas kësaj lëvizjeje, mësohet se ka gisht dhe një nga njerëzit më të fuqishëm në globit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Prapaskenat e kësaj lëvizjeje i ka rrëfyer një libër që sapo ka dalë në libraritë europiane dhe që tregon situata të ndërlikuara të transferimeve. Zeniti është klubi për të cilin bën tifozllëk njeriu më i pushtetshëm i Rusisë. Ai ka të lidhur fëmijërinë me ngjyrat e kësaj skuadre dhe mbi të gjitha ka detyruar Gazpromin të investojë aty (thuhet se është vetë pronar i gazësjellësit më të madh në botë). “The Deal” është autobiografia e menaxherit Xhon Smith, dhe zbardh tratativat e vështira që zgjatën plot tre muaj deri në sigurimin e nënshkrimit të Arshavin, realizuar vetëm kur miliarderi Uzbek dhe pronari i 30% të aksioneve të Arsenalit, Alisher Usmanov përdori lidhjet e tij në Rusi për të finalizuar këtë transaksion.

Por Usmanov duhej të bënte gjithçka pa e marrë vesh hierarkia e Arsenalit, pasi klubi besonte se do të ishte thjeshtë një negociatë e thjeshtë dhe normale mbi çmimin më të përshtatshëm, dhe jo një situatë kur duhej të lëvizej çdo fije. Përshkrimi i Smithit në lidhje me këtë transaksion, zbulon mënyrën me të cilën Venger pëlqen të jetë thellësisht i përfshirë në të gjithë kursin e transferimeve të futbollistëve. Pavarësisht përfshirjes së Usmanov, i cili në mënyrë direkte u angazhua nga zëvendëspresidenti i Arsenalit, David Dein, vështirësitë për të firmosur marrëveshjen me palën ruse ishte gati aq e pamundur sa që Smith u detyrua në përfundim që veç ndërmjetësit në diskutime të plotësonte edhe shumën finale prej 1.5 milionë euro, që ishte diferenca për të cilën asnjëri nga dy klubet nuk po binte dakord të firmoste.

Në orët e fundit të merkatos, Smith pranoi të “luajë bixhoz” duke e ofruar ai atë diferencë, me besimin se klubi do ta kompensonte atë për këtë shpenzim në orët e mëvonshme, pasi “stuhia” e këtij transaksioni të ishte qetësuar. Asaj kohe Premier League e shtyu afatin përfundimtar të transferimeve me 24 orë, për shkak të stuhisë së fortë të dëborës dhe marrëveshja 11-orëshe u deklarua e përfunduar në kohë. Arshavin u aktivizua si titullar në 97 ndeshje me Arsenal, duke realizuar 31 gola, për tu rikthyer te Zenit vetëm tre vite më pas, fillimisht në formë huazimi, më pas në mënyrë përfundimtare.
(j.Selimi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb