Opozita dje e pati sheshin. Njerëzit dolën dhe jo pak, jo rastësisht. Zemërimi i tyre është real, i akumuluar prej aferave e skandaleve të njëpasnjëshme, arrogancës së pushtetit dhe ndjesisë se qeveria është në ditët e saj më të errëta.
Por mungoi ajo që duhet të jetë forca kryesore e çdo proteste, drejtimi.
Fjalimi i Sali Berishës u perpoq të ishte ndezës pa qenë kulmues. U përpoq të ishte shpresëdhënës pa qenë i shkoqur sesi pas acarit të korrupsionit do të vijë pranvera me politikanë të ndershëm. Ishte një fjalim i njohur në ton, i parashikueshëm në përmbajtje dhe pa asnjë surprizë në fund, sikur flakadanët që do të pasonin kishin për destinacion një rezervuar me ujë.
Pas largimit të tij, masa e njerëzve u shpërnda. Jo se s’kishte arsye për të qëndruar, por sepse s’kishte as organizim për momentin “after” dhe as besimin se improvizimi mund t’i jepte sens një protestë e zhveshur nga çdo synim imediat.
Ky është kurthi ku ka hyrë PD-ja sot. Nuk arrin ta kthejë në gol penalltinë e zemërimit popullor që i ka ofruar mazhoranca me gafat e saja kleptokratike. Nuk arrin ta shndërrojë skandalin në moment historik përmbysës sepse nuk arrin të injektojë tek masat e njerëzve ndjenjën e besimit në vetvete se “sot është dita”.
Refreni se qeveria “është në ditët e fundit” ose se “do të rrëzohet së shpejti” po merr gjithnjë e më shumë trajtat e asaj pëlhurës së famshme të Penelopës që duhej të mbaronte së qëndisuri por s’mbaronte kurrë.
Këto lloj protestash që duan kohë , mund dhe financa për t’u organizuar rrezikojnë tashmë të prodhojnë efektin e kundërt. Në momentin kur ky pushtet është i goditur më shumë se kurrë ndonjëherë nga mega-skandalet me jehonë që i kalon kufijtë e vendit dhe të arsyes , në momentin kur ky pushtet është i ekspozuar ashpër penalisht dhe i cënuar sa s’ka ku të shkojë më moralisht, opozita nuk arrin ta shfrytëzojë dobësinë e një “bishe të plagosur” për t’i shkurtuar agoninë, por dobëson pritshmëritë e revoltës që ka nevojë si për një fillim ashtu dhe për një “End”.
Në një orkestër në skenë luajnë muzikantët, por tempin e jep dirigjjenti. Një anije me vela, dhe erën më të fuqishme ta ketë si bashkëudhëtare nuk do të mund të arrijë në destinacion po nuk qe pâjisur siç duhet me busull dhe instrumentë të tjerë lundrimi.
Në ditën më të keqe të qeverisë, opozita duhej të ishte në ditën e saj të vendosmërisë maksimale se ç’duhej bërë me pushtetin qe nuk respekton as popullin, as drejtësinë, as Shtetin mirë. Nuk ishte! Shkurti i 91-it do të mbetet i paarritshëm. Asajkohe, ishin dhe velat, një popull i tërë i shtyrë nga era e fuqishme e sakrificës që po kryenin studentët e grevë së urisë , por ishte dhe busulla dhe destinacioni, sheshi, statuja e diktatorit që mishëronte 50 vjet privacione dhe poshtërim.
Sot “bulevardi” nuk është më një destinacion, por një bis repetita, një repeticion.
Diçka e re , më kreative, më inovative, më pikante dhe më e spikatur duhet në mënyrë që shpresa mos të shuhet.
Disa muaj më parë studentët serbe, luftëtarë të paepur të regjimit të korruptuar të Vuçiçit, i hipën biçikletave, për të përshkruar plot 1500 km nga vendi i tyre deri ne portat e parlamentit europian ne Strasburg dhe etapen e fundit te sensibilizimit të Europës, atë deri në Burksel , e bënë me vrap si maratonista të kohëve moderne. Rezultati, Serbia është sot thuasje e bojkotuar si nga Europa ashtu dhe nga Uashingtoni.
Do të kishte shumë “klas” dhe shumë më tepër efekt se muzika në bulevard, një grup “maratonistash” anti-korrupsion shqiptarë nga Opozita dhe shoqëria civile me biçikleta drejt Italise fqinje , me busull veriun, dhe destinacion final Brukselin. Do të ketë aty rrugëve përgjatë itinerarit edhe më shumë njerëz dhe media se në bulevardin e kryeqytetit shqiptar, sepse zemërimi te shqiptarët e diasporës është edhe më i madh, ashtu siç është edhe më i lartë kuriziteti i medjave italiane dhe europiane.
Diçka e re duhet bërë . Monopolin e inovacionit nuk e ka dhe s’duhet ta ketë vetëm lidershipi i PD-së
