Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme mjeku popullor beratas,78-vjeçari egjiptian Zani Yzi, që prej 60-vjetësh ka shëruar me shushunja sëmundje të ndryshme të gjakut në të gjithë Shqipërinë. Pas vdekjes, Spitali Rajonal i Beratit e ka diagnostikuar në kartelën e vdekjes si rast Covid-19, duke mos lejuar familjarët që ta tërheqin trupin e pajetë të mjekut për t’i bërë nderimet e fundit në banesë.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë familjarët e mjekut popullor, të cilët kërkojnë kthimin e trupit të tij pranë familjes, për ta nderuar siç e meritonte e për ta përcjellë drejt banesës së fundit. Familjarët deklarojnë se Spitali Rajonal i Beratit nuk ua kthen trupin pasi deklarojnë se ai ishte i infektuar me koronavirus dhe kthimi i trupit të pajetë në banesë bëhet shkak për përhapjen e virusit.

Whatsapp Image 2020 11 02 At 22.15.46
Whatsapp Image 2020 11 02 At 22.15.46

Sipas familjarëve të të ndjerit, ai vuante nga shumë sëmundje dhe kishte probleme me zemrën, diabetin,veshkat etj. Familjarët deklaruan se ai kishte qëndruar dy javë në spital dhe kishte dalë disa ditë më parë, ndërkohë që pasditen e sotme urgjenca e kishte marrë sërish, duke konfirmuar se ishte me SarsCov-2. Disa orë pas dërgimit në spital, mjeku popullor Zani Yzi ndërroi jetë por familjarët e tij nuk e pranojnë që ai të ishte i infektuar me Covid-19, pasi-siç shprehen vetë ata, Zanit nuk i është bërë tamponi dhe në spital kujdeseshin vetë familjarët për të. Vajza e të ndjerit, Valentina Fusha bën apel për ndihmë dhe kërkon kthimin e trupit të babait të saj në shtëpi, për t’i bërë ritet e fundit.

“Babai im ka qenë i shtruar në spital. Vuante nga veshkat, diabeti, tension etj. Ai qëndroi 2 javë në spital dhe më pas e sollën në shtëpi por sot erdhi urgjenca dhe e mori sërish. Ai po jepte shpirt dhe po linte amanetet e fundit, këta thonë që ishte me koronavirus. Nuk ka qenë me koronavirus, në qoftë se do të ishte ne të gjithë që kujdeseshim për të do të ishim infektuar, le t’i bëhet tamponi dhe të na e sjellin babain në shtëpi”, është shprehur vajza e të ndjerit Zani Yzi.

E ndërkohë që familjarët mohojnë që ai të ketë qenë i infektuar me koronavirus, burime nga Spitali Rajonal i Beratit dhe morgu bëjnë me dije se Zani Yzi ishte i diagnostikuar me Covid-19 të stadit të dytë, e konfirmuar kjo nëpërmjet një skaneri të kryer.

Mjeku popullor egjiptian Zani Yzi ka shëruar për vite me radhë qindra pacientë nga rrethe të ndryshme të vendit tonë që vuanin nga sëmundjet si: reumatizma, tromboza, prostata, dhimbjet e kokës, ekzemat, damarët e këmbëve, infektimi i gjëndrave të trupit etj. Trupvogël, por i bindur tek mjekimi që e kishte zanafillën tek mjekësia popullore,78-vjeçari Yzi kuroi rreth 35 lloje sëmundjesh, nëpërmjet përdorimit natyral të shushunjave në trupin e të sëmurëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb