Në stacionin hekurudhor në Lviv, në cepin më perëndimor të Ukrainës, pranë kufirit polak, qindra njerëz po zbresin nga trenat, duke u larguar, teksa sirenat po bien. Terminali, një nga strukturat më historike në Evropë, është tani një pikë kalimi për ata që po largohen nga lufta, duke u përpjekur të afrohen më pranë vijës së frontit të NATO-s. Që qendra historike kulturore mund të bëhej një objektiv për Moskën, ishte e paimagjinueshme, edhe për vetë diplomatët dhe organizatat ndërkombëtare, që u larguan nga kryeqyteti ukrainas, Kiev, për në Lviv, javët e fundit.

Por, kur sirenat ranë, kjo ishte një kujtesë rrëqethëse se askund në Ukrainë nuk kishte siguri, pas sulmit të plotë të Moskës ndaj këtij vendi.

Një familje mbështolli me batanije foshnjën e saj në një karrocë. Dy gra veshën një bulldog francez, teksa dridhej më një triko rozë të thurur. Dy familje të tjera u ulën së bashku mbi valixhet e mëdha. Ata thanë se nuk kishin fjetur për ditë të tëra, për shkak të bombardimeve, që kanë shkatërruar rajonet, që ata lanë. Ata kishin udhëtuar për në Lviv nga qytetet e tjera të vendit, duke paketuar shpejt çantat e shpinës dhe duke mbledhur sendet, përpara se të largoheshin nga banesat e tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ende të tronditur, shumë prej tyre thonë se nuk dinë ku të shkojnë. Banorët që mendojnë të kalojnë kufirin e Ukrainës, duhet të përballen jo vetëm me traumën e refugjatëve, por edhe me ndarjen nga djemtë, vëllezërit, bashkëshortët e partnerët e tyre, për shkak të ligjit të ri ushtarak ukrainas, të vendosur pas pushtimit rus, ku meshkujt nga mosha 18 deri në 60 vjeç nuk mund të largohen nga vendi.

Artem Zonenko sapo ka mbërritur në Lviv, nga Keivi, së bashku me vjehrrën dhe vajzën e tij të mitur. Ata e kanë kaluar natën duke fjetur në dyshemenë e një stacioni metroje, duke u mbrojtur nga bombardimet dhe granatat. Gruaja e tij kishte disa ditë që ishte në lviv. Familja planifikon të kalojë një ditë së bashku, përpara se të vendosin nëse gjyshja, nëna e fëmija do të vazhdojnë në Poloni, duke lënë pas Zonenkon.

I pyetur se si ndihej për këtë, ai buzëqesh i dëshpëruar. “Nuk jam i sigurt se çfarë t’iu them. Është ashtu siç është”, ka thënë ai, duke grumbulluar familjen e tij në një taksi.

UNCHR tha se të paktën 100 mijë njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre në 24 orët e para të sulmit ushtarak, të enjten. Mediet dhe dëshmitarët okularë raportuan se mbi 7 mijë makina ishin në radhë në vendkalimet në kufirin polak, me një linjë që shtrihej për mbi 30 kilometra.

Andrei, 45 vjeç, sapo ka mbërritur nga vendlindja e tij Odessa, në juglindje, dhe po sajonte një plan për të takuar gruan e tij bjelloruse në Poloni. “Ajo është shtatzënë. Unë duhet të shkoj tek ajo”, është shprehur ai, duke refuzuar të zbulojë emrin e tij të plotë për arsye sigurie, ndërsa ka shtuar se “Ky ligj nuk ka kuptim”.

Pas pushtimit rus, qeveria ukrainase dha urdhrin për mobilizim të përgjithshëm, që përfshin ndalimin e udhëtimit të meshkujve, teksa Andrei ndodhej në tren. “Kjo mund të prsh të ardhmen e familjes time. Ne zbritëm nga treni dhe sirenat e u ndezën. Unë u trondita, sepse ky vend supozohet të jetë i sigurt. Dhe tani po na thonë se ne nuk mund të largohemi as nga vendi”, ka deklaruar ai.

“Nuk e di ku mund të ruhem, sepse ky vend askund nuk është i sigurt”, thotë Mehmeti, një banor turk në Ukrainë, ndërsa tërheq zvarrë dy valixhe të mëdha në trotuar, teksa sirenat bien, duke shtuar se “Ne thjesht do të largohemi nga vendi”.

Një grup studentësh algjerianë të universitetit të ardhur nga Odessa po diskutonin furishëm planet e tyre. “Ne thjesht do të shkojmë në Poloni”, tha Takieddine, duke mos dashur të japë emrin e plotë për arsye sigurie. “Nuk ka asnjë mënyrë që të qëndrojmë në Ukrainë. Ne kurrë nuk e kishim menduar se kjo do të ndodhte në Evropë. Kurrë. Kurrë. Në një milion vjet”, shton ai.

Ihor Nakonechyi, 52 vjeç, ndodhet në qytetin kufitar Mostyska, duke bërë përgatitje për të transportuar ish-gruan dhe vajzën e tij në Poloni. Ai planifikon t’i çojë ato në vendkalimin aty pranë dhe më pas të kthehet, jo vetëm se e ndalon ligji të largohet nga vendi, por sepse mezi pret të marrë armën dhe t’i bashkohet luftës kundër rusëve, thotë ai vetë.

“Është e vështirë, por nuk më shqetëson ligji. Në fakt mendoj se kjo është gjëja e duhur për të bërë”, thekson ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb