Euro e mbylli javën me një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 105.62 lekë. Që nga fillimi i muajit qershor, kursi Euro-Lek ka rënë me 3.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë kursi i këmbimit ka rënë me 12.1%.

Zhvlerësimi i Euros po tërheq në rënie të mëtejshme edhe valutat e tjera kryesore.

Dollari Amerikan u këmbye sot me 98.07 lekë, në nivelin më të ulët që prej gushtit të vitit 2011. Paundi Britanik zbriti në një minimum të ri historik, në nivelin 122.97 lekë.

Franga Zvicerane gjithashtu pësoi rënie të mëtejshme në 108.86 lekë, niveli më i ulët që prej qershorit të vitit 2019.

Ekspertët mendojnë se ecuria e kursit gjatë kësaj periudhë është rezultat i një oferte valutore shumë të lartë në tregun vendas, i ndërthurur ndoshta edhe me efektin psikologjik.

Tregu ka krijuar pritshmëritë e forta se Leku do të vazhdojë të forcohet gjatë sezonit veror dhe kjo mund të ketë sjellë edhe një nxitim për të shitur euro gjatë javëve të fundit.

Kjo e ka rritur edhe më shumë ofertën, duke e zhvlerësuar më tej monedhën europiane. Meqenëse Euro është monedha referuese për tregun financiar shqiptar, zhvlerësimi i saj po përcillet edhe tek valutat e tjera.

Duke parë ritmet e shpejta të rënies së Euros, sidomos në dy javët e fundit, tashmë ka ekspertë që mendojnë se arritja e kufirit të 100 lekëve këtë vit nuk është për t’u përjashtuar.

Leku më i fortë se kurrë në kursin e këmbimit ka filluar të japë ndikime të rëndësishme në ekonomi. Importet e vendit po bëhen më të lira, megjithëse kjo ende nuk është ende shumë e prekshme në çmimet e konsumit.

Forcimi i Lekut po u jep një mbështetje të madhe huamarrësve në valutë të huaj, duke ulur vlerën ekuivalente të kredisë dhe këstet mujore, të shprehura në Lekë.

Specifikisht për sektorin bankar, forcimi i lekut po sjell tkurrje të madhësisë së bilancit, duke qenë se pjesa më e madhe e aktiveve janë në valutë të huaj. Efektet priten të shfaqen gradualisht më të dukshme edhe në rezultatin financiar, për shkak të efektit negativ që kursi do të sjellë në rezultatin neto nga interesat.

Nga ana tjetër, një forcim i Lekut në këto përmasa nuk do të kalojë pa pasoja për të gjitha subjektet ekonomike që kanë të ardhura apo kursime neto në valutë. Sektorët eksportues të ekonomisë po marrin një goditje të fortë nga forcimi i Lekut. Eksportet shqiptare ranë me 3.5% për 4-mujorin 2023, ndërsa për muajin prill rënia e tyre arriti në 19%.

Forcimi shumë i shpejtë i lekut këtë vit po ul vlerën e kursimeve bankare në valutë, por edhe vlerën e dërgesave të emigrantëve. Familjet që mbështeten kryesisht tek të ardhurat në valutë kanë pësuar rënie të fuqisë blerëse për shkak të kursit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: