Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka garantuar qytetarët për sigurinë e kursimeve të tyre, gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e sistemit bankar në vend.
Në fjalën e tij, Sejko theksoi rëndësinë e koordinimit të veprimeve mes institucioneve dhe sektorit bankar, duke e cilësuar këtë të fundit si shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare.
Guvernatori deklaroi se, pavarësisht presioneve, kursimet e qytetarëve mbeten të sigurta dhe sistemi bankar do të vijojë funksionimin normal, duke iu përgjigjur nevojave të ekonomisë dhe publikut.
“Koordinuam veprimet dhe sot, në prani të kryeministrit dhe ministrave, diskutojmë për vijimësinë e sistemit bankar. Nuk është një industri e veçantë, por shtylla kurrizore e ekonomisë”, u shpreh Sejko.
Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj, duke garantuar mbështetjen e nevojshme për sistemin financiar.
“Kemi theksuar që, pavarësisht presionit, kursimet e qytetarëve janë të sigurta. Sistemi bankar është në duar të sigurta. Banka e Shqipërisë do të vijojë operimin si gjatë gjithë kësaj periudhe. Do t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave të ekonomisë dhe qytetarëve”, deklaroi guvernatori.
