Refuzimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të takuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës në Prishtinë ka qenë në fokus të rubrikës “Opinion” në News24 ditën e sotme ku komentuan deputet i PDK-së Xhavit Haliti dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Arben Çejku.

Haliti e cilësoi krejtësisht të gabuar refuzimin e Kurtit dhe tha se në Kosovë nuk kuptohen detyrimet që Shqipëria ka ndaj BE-së dhe NATO-s.

“Rama dhe Kurti kanë po aq mundësi që gjatë këtyre ditëve të kenë një komunikim dhe pa media. Ne jemi një komb, dy shtete, por kemi obligime që të komunikojmë dhe pa media ndonjëherë. Dihet që Kurti është mërzitur atë ditë që nuk është bërë mbledhja në Gjakovë dhe që Rama ka shkuar në Itali dhe në Kosovë nuk kuptohet mirë, obligimet që ka Shqipëria në raport me BE-në dhe NATO-n. Obligime që duhet të veprojë sipas vendimeve që ata marrin, jo sipas dëshirave tona.
Besoj që kanë mundur që të gjejnë një kontakt për t’i biseduar gjërat dhe për të mos vepruar në variantin që ka vepruar Albin Kurti që për mua është krejtësisht gabim, që mos ta presë kryeministrin e Shqipërisë Kosovë”, deklaroi Haliti.

Ndërkohë ish-ambasadori Çejku tha se kjo tregon një lloj dobësie politike të z. Kurti i cili nuk arrin të kapërcejë disa emocione të vetat. Sipas tij, Kurti ka dashur t’i dërgojë dhe një mesazh faktorit ndërkombëtar.

“Megjithatë e shoh në situatën në të cilën ndodhet Kurti. Me refuzimin për të takuar Ramën, ai synoi t’i dërgonte dhe një mesazh faktorit ndërkombëtar që po interesohet të bisedojë me z. Kurti, për ta mbajtur larg një marrëveshjeje për veriun e Kosovës.
Jam i bindur që Rama dhe Kurti do të takohen në të ardhmen. Ky tur mendoj se donte dhe një përgjigje për propozimin që ka bërë Rama për Asociacionin.
Z.Kurti ka humbur pikë dhe një mundësi në këtë rast. Nuk është mesazh i mirë dhe për ndërkombëtarët. Shqipëria është në tryezën e NATO-s dhe të disa ndërkombëtarëve. Kur jemi aty sado themi që Shqipëria dhe Kosova janë të ndara, kur ka kriza Tirana është përdorur për të sjellë ndonjë mesazh në Prishtinë, për të lehtësuar komunikimin ndërvëllazëror. Ky ishte një rast i humbur. Nga gjithë ky nervozizëm do vijë dhe përplasja politike, ku secili nag personalitetet do synojë për përfitim politik. Situata në veri është vendosur dhe në një kontekst politik. Kjo i intereson dhe vetë z. Kurti. Ai po përpiqet të fitojë pikë duke e vendosur në vështirësi faktorin ndërkombëtar. Por ka një keqkuptim nuk është në vështirësi faktori ndërkombëtar. Ajo që duhet të shqetësohet Kosova dhe z. Kurti, i cili e ka humbur rrugën në oborr. Ai duhet të mendojë një dalje, ai nuk po e mendon një dalje”, tha Çejku.

Ai shtoi se ka dhe një qasje jo serioze prej burri shteti. “Nga një anë i jep leje Presidentes Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, se është i interesuar të dëgjojë çfarë thotë z. Rama, nga ana tjetër firmos marrëveshjet. Përdorimi i këtyre marrëveshjeve në këtë kontekst është t’i vrasësh. Në dy anët ka tendenca të përdorimit të situatës, por ai që humb është z. Kurti. Ai mund të mbajë aq përgjegjësi aq sa mbajnë supet e tij. Këtë peshë duhet ta ndante me të gjithë faktorin politik në Kosovë. Nga ana tjetër kemi viktimizimin e Vuçiçit. Dërgon djalin e vet në Kosovë për të provokuar, nga ana tjetër bën si viktimë”, u shpreh Çejku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb