Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur prezantimin e programit dhe përbërjes së propozuar të Qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës, pak orë pasi u konstituua legjislatura e 11-të e tij.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.

Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarëve dhe mbrojtja e familjeve.

“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.

Ai premtoi gjithashtu investime të ndryshme kapitale, si për themelimin e një kompanie ajrore në pronësi publike dhe krijimin e një rrjeti të transportit publik në tërë vendin.

Pas prezantimit të programit, Kuvendi pritet të votojë për Qeverinë e re dhe për përbërjen e propozuar të kabinetit qeveritar.

LVV-ja ka thënë se i ka 62 vota për formimin e Qeverisë së re – 53 deputetë të saj dhe nëntë deputetë nga komunitetet joshumicë. Për formimin e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota.

Në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb