Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.
Gjatë takimit, Kurti vlerësoi lart marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, duke shprehur mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të Norvegjisë në të gjitha etapat e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së Norvegjisë në proceset integruese, veçanërisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Temë diskutimi ishin zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme si mbrojtja dhe siguria, energjia dhe teknologjia e informacionit. Po ashtu, u trajtuan edhe zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Kryeministri Kurti e falënderoi Norvegjinë për rolin që ka luajtur në arritjen e Marrëveshjes Tregtare ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, e cila pritet të sjellë mundësi të reja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.
