Gazetarja Sonila Meço, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi aktualitetin politik në vend, me fokus të veçantë zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës dhe dilemën e opozitës për zgjedhjen e kandidatit.
Në analizën e saj, Meço tha se opozita gjendet në një situatë të vështirë, ku, sipas saj, institucionet nuk e respektojnë dhe “arbitri” është i njëanshëm.
“Të thuash se opozita është në një situatë të vështirë është tashmë një klishe. Por ajo që shoh është një opozitë që qëndron në ring ndërsa arbitri është me kundërshtarin,” u shpreh Meço. “Duhet të dalë nga kjo betejë grushtash, të marrë veten dhe të përballet me publikun, i cili sot duket i përfshirë në një pasivitet të thellë.”
Duke iu referuar mënyrës se si po zgjidhet kandidati për Tiranën, Meço theksoi se doktrina politike e ndjekur nga Sali Berisha në këtë rast kërkon një profil kandidati që nuk i nënshtrohet interesave të ngatërruara që përfaqëson sot Tirana.
“Kam kuptuar se kandidati, sipas këtij modeli, duhet të jetë dikush i pavarur nga interesat që kanë kapur qytetin. Pra, nuk mjafton të jetë figurë politike, por duhet të përfaqësojë një model tjetër,” tha ajo.
Lidhur me emrat që janë përfolur si kandidatë të mundshëm – Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçkaj – gazetarja tha se të tre janë figura të njohura dhe të afta, por jo të vetmit në listë.
“Nuk janë vetëm këta tre. Kam dëgjuar shumë emra që janë hedhur në qarkullim. Unë i njoh personalisht, kam punuar me ta, dhe mund të them se janë njerëz të aftë për të drejtuar Bashkinë e Tiranës,” u shpreh Meço.
Sipas saj, kandidati ideal duhet të plotësojë disa kushte thelbësore që e bëjnë të vështirë zgjedhjen, sidomos nëse synohet një model i pavarur, ekspert, që nuk vjen nga partitë politike.
“Nëse futemi në lojën e emrave, kjo mund të çojë në polarizim. Një kandidat që vjen si model i pavarur dhe profesionist ka më shumë potencial për të fituar besimin e qytetarëve,” shtoi ajo, duke lënë të nënkuptohet se suksesi i opozitës në këtë garë do të varet më shumë nga modeli sesa nga përkatësia partiake.
Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës pritet të jenë një test i rëndësishëm për opozitën, e cila përballet me sfidën e ringritjes dhe të rikthimit të besimit publik pas një periudhe të gjatë përçarjesh dhe mungese të qartësisë politike.
