Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka dhënë disa detaje dhe komente të rëndësishme për ngjarjen e Salarisë. Sipas saj kjo ngjarje është sqaruar deri tani vetëm nga dëshmitë e personave që kanë qenë aty, dhe hetimet janë ende në vijim. Ajo thekson se biznesmeni italian Eduardo Sarchi, mbrëmjen e 26 shtatorit ishte duke darkuar me Eqerem Braçin në shtëpinë e tij të pushimit në Salari, bashkë me djalin e Braçit, Gazmentin. Ky i fundit ka dalë pas darke me 2 automjete për gjueti por rrugës ka hasur Kamber Sulçajn, një pronar të një stani aty afër.

Sipas gazetares Klodiana Lala, konflikti nisi për shkak të dritave të gjata të ndezura në automjetin e autorit, që sollën një debat verbal, e më pas përshkallëzim në të shtëna, ku kanë debatuar ashpër për dritat e gjata të automjetit.

Sulçaj i ka ndjekur makinat, ku ndodhej djali i Braçit, të cilit, duke u afruar pranë shtëpisë në Salari i ka rënë goma e automjetit dhe kanë kërkuar ndihmë nga babai i tyre të cilin e kanë marrë në telefon. “Eqeremi dhe biznesmeni italian kanë dalë menjëherë me dy makinat por rrugës kanë rënë nën breshërinë e plumbave të Kamber Sulçajt, i cili ka përdorur një armë gjahu me dylbi”, thotë Lala.

Plumbi që i mori jetën Sarchit ka qenë rikoshet, por për shkak se kapi arterien kryesore në këmbë, shkaktoi gjakderdhje fatale. Lala nënvizon se sulmuesi ka qëlluar për 15-20 minuta, ndaj synimi i tij ka qenë për të vrarë, jo për të trembur. Ajo e cilëson Kamber Sulçajn si person me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë. Gazetarja shton se hetimet janë duke vijuar mbi lëvizjet e autorit, kamerat e sigurisë dhe celularët, ndërsa po kërkohet edhe ndihmë nga policia italiane dhe përmes kanaleve diplomatike.

“Si gazetare kam dhe unë dyshimet e mia dhe po ndjek hetimet hap pas hapi. Arrestimi i autorit të dyshuar do të japë një panoramë tjetër mbi ngjarjen,” – ka thënë ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: