Gazetari Igli Çelemeta ishte në studion e News24 me Nisida Tufën, ku foli në lidhje me situatën e vështirë të cilën kaloi për 10 ditë “Focus Media News” ku televizioni më i madh informativ në vend nuk u lejua të të transmetonte dhe të vinte në ekranet e shqiptarëve duke dhënë lajmin e fundit.
Ai u shpreh se Ardi Veliu dhe KAYO ndaluan gazetarët që të kryenin detyrën si dhe paralajmëroi se kushdo që shkeli ligjin dhe vendimin e gjykatës do të mbajë përgjegjësi.
Çelmeta rrëfeu edhe se ishte kontaktuar personalisht nga efektivët të cilët ishin të detyruar të bllokonin godinën e të mos lejonin gazetarët të futeshin në redaksi. Sipas tij ata janë shprehur të keqardhur për gjithçka që po ndodhte.
“Rast i paprecedentë dhe i pazakontë. Nuk na u lejua të kryejmë detyrën e gazetarit dhe sot jemi përballë publikut për të transmetuar të vërtetën siç kemi bërë gjithmonë. Nuk është çështje godine, ne që punojmë aty jemi si një familje.
Veprimi ndaj News24 ishte veprim arbitrar në mënyrë që të pengoheshim ne si gazetarë dhe media që të thuhej e vërteta. Kanë kaluar 10 ditë nga ajo e shtunë dhe ende ne nuk jemi lejuar të marrim sendet tona personale, çka shkon kundër vendimit të gjykatës që ka dhënë urdhër që të lejohemi t’i marrim. Që në momentin e parë u kuptua që ishte një urdhër që gjithçka të ndodhte siç edhe ndodhi, në orët e para të mëngjesit Ardi Veliu dhe KAYO erdhën në godinën tonë si të ishin në pronën e tyre.
Kam pasur mesazhe pa fund, edhe nga efektivë që kishin bllokuar godinën e News24 se ishin të detyruar të vepronin në këtë mënyrë si dhe ishin të keqardhur që kjo po ndodhte.
Ardi Veliu ka shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe vendimin e gjykatës. Në Gjykatë ka deklaruar se nuk ka pretendime për godinën tonë, por ende edhe sot nuk lejohemi të futemi në redaksi.
Ka shkelur ligjin duke cënuar punën e gazetarëve. Do të vijë dita që do të përgjigjen për gjithçka çfarë ka ndodhur. Kush është Ardi Veliu të më tregojë mua të bëj apo jo punën time, të më cënojë mua të ushtroj profesionin?”, tha ai.
(BalkanWeb)
