TIRANË- Pas incidentit të sotëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, me Fatmir Xhafën, kreun e këtij komisioni, Luneda Sufali është kthyer në personazhin më të komentuar në rrjetet sociale. Drejtoresha e Lojërave të Fatit iu përgjigj ironikisht Xhafës ndërsa ai e pyeti se kush ishte, duke i thënë “pastruese”. Pas kësaj, kreu i komisionit të Ligjeve i kërkoi disa herë të dilte jashtë por Sufali nuk ka pranuar, duke sfiduar Xhafën.
Pas publikimit të debateve, opinioni publik është ndarë në pro dhe kundër saj. Po kush është Drejtoresha e Përgjithshme e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali?
Luneda është vajza e tretë e familjes Sufali. Në shkollë ka shkëlqyer në shkencat ekzakte dhe në adoleshencë ka dashur të bëhet gazetare investigative. Madje ka punuar në një televizion lokal në qytetin e Durrësit, e më pas në një radio. Por ndikimi i dy prindërve me profesion ekonomistë ishte i fortë: studimet e larta i vazhdoi për Ekonomik.
Ka nisur të punojë që studente, shpesh duke bërë njëherazi disa punë: nga bankat e deri në kompani private shqiptare e të huaja. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2005 dhe më pas ka ndjekur një master po në këtë degë.
Drejtorja e re e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është e para femër në një post të tillë dhe nuk ka hyrë kurrë në një kazino. Në një intervistë pak kohë pasi kishte marrë detyrën e saj në vitin 2013, Sufali thoshte se “Mua më pëlqejnë sfidat”. “Personat që më propozuan të jem aty mesa duket e kanë kuptuar këtë. Më kanë vendosur përballë një sfide. E kuptoj përgjegjësinë, jam me këmbë në tokë. Kur mendoj se çfarë lloj tregu është, e besoj që nuk është e thjeshtë. Nuk është e lehtë, por do t’ia dal mbanë”, deklaroi ajo.
(m.k/BalkanWeb)
