Nga sot, Emmanuel Macron do të jetë Presidenti i ri i Francës. Zgjedhja e tij në një farë mënyre ishte dhe fitore e Bashkimit Europian, pasi kundërshtarja e tij Marine Le Pen ishte për një dalje të Francës nga BE.

Emmanuel Jean-Michel Federic Macron, i lindur në vitin 1977, lindi në komunën e vogël Amiens, 120 km në veri të Parisit dhe mbaroi studimet për filozofi, marrëdhënie me publikun dhe shkenca politike.

Një anëtar i spikatur i Partisë Socialiste nga viti 2006 deri në vitin 2009, Macron  u zgjodh zv/sekretar i përgjithshëm në qeverinë e Francois Hollande në vitin 2012. Në vitin 2014 ai u vendos Ministër i Ekonomisë, Industrisë dhe Çështjeve Dixhitale, ku ndërmorri disa reforma të biznesit, shkruan BalkanWeb.

Kjo ishte një nga fushat që ai njihte më mirë pas një pune 4-vjeçare si Inspektor i Financave në Ministrinë franceze të Ekonomisë. Më 6 prill të vitit 2016, Macron themeloi partinë e tij politike të pavarur “En Marche” (Përpara!). Kjo ishte një lëvizje progresiste-liberale. Më 30 gusht të vitit 2016, Macron hoqi dorë nga qeveria për të hyrë në zgjedhjet presidenciale të 2017-s.

Më 16 nëntor të vitit që lamë pas, Macron deklaroi publikisht dhe zyrtarisht kandidaturën e tij për presidencën. Në një fjalim të tij, Macron e quajti zgjedhjen e vet “një revolucion demokratik”.

Në karrierën e tij politike, Macron është përshkruar nga vëzhguesit si liberalo-social dhe nga të tjerë si social-demokrat. Gjatë qëndresës së tij në Partinë Socialiste franceze, ai mbështeste krahun qendror të partisë.

Përsa i përket ekonomisë, Macron ka qenë avokat i përhershëm i tregut të lirë si dhe ka qenë pro uljes së deficitit të buxhetit publik. Një nga gjërat që ka tërhequr vëmendje është jeta e tij private, shkruan BalkanWeb.

Bashkëshortja e tij, Brigitte Trogneaux, , tani 64 vjeç, ka qenë mësuesja e Macron, 39 vjeç, kur ai ishte adoleshent. Brigitte është 25 vjet më e madhe se bashkëshorti dhe në një intervistë të dhënë për “Match de Paris” pati pohuar se Macron i kishte premtuar martesë që kur ky ishte 17-vjeçar dhe nxënës në gjimnaz. “Ai i bëri ballë të gjitha kundërshtimeve të mia, Nuk ishte një adoleshent si të tjerët, sillej si të rriturit,” tha Trogneux.

Afrimiteti mes tyre filloi kur Macron mori pjesë në një nga pjesët teatrale të Trogneux. Macron, si i apasionuar pas letërsisë dhe që donte të bëhej shkrimtar, ishte anëtar i klubit teatral. Ai më vonë u zhvendos në Paris për vitin e tij të fundit të gjimnazit, dhe shpenzonte orë e orë të tëra në telefon me mësuesen e tij.

Vlerësimi i Macron për Trogneux është shumë i madh sa në një intervistë ai tha: “Prej saj jam personi që jam sot, nëse unë zgjidhem President, më falni nëse ne zgjidhemi, ajo do të jetë aty do të ketë rolin e saj”.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: