Protesta e sotme përpara godinës së Kryeministrisë ka vijuar me fjalime mjaft goditëse nga të rinjtë aktivistë. Një prej tyre ka zgjedhur të përdorë ironinë e hollë dhe pyetjet retorike për të bërë një bilanc të ashpër të qeverisjes 13-vjeçare të Edi Ramës.

Me tone të forta dhe i duartrokitur nga qindra qytetarë të pranishëm në bulevard, i riu ka listuar disa nga temat më të nxehta që lidhen me korrupsionin, infrastrukturën, largimin e rinisë dhe aferat e fundit në SPAK.

Gjatë fjalës së tij, protestuesi ka ngritur pikëpyetje të forta mbi prioritetet e qeverisë, duke vënë përballë dështimet në terren me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

“Pas 13 viteve qeverisje, për çfarë jeni krenarë? Për rrugët që i keni lënë rrugëve apo për dosjet që keni bërë mullar në SPAK? Kush është rritur më shumë, mirëqenia e popullit apo llogaria e Belindës? Më shumë keni pastruar kanale vaditëse apo para të pista?” u shpreh ai me ironi të mprehtë.

Në mbyllje të fjalës së tij, i riu u ndal te dy prej plagëve më të mëdha të këtyre viteve: prishjen e banesave për projekte të ndryshme pa dëmshpërblim të drejtë dhe riciklimin e vazhdueshëm të figurave të vjetra politike brenda mazhorancës.

“A keni ndërtuar më shumë shpresë për popullin apo u keni prishur shtëpitë? Kush ka ricikluar më shumë plehra, landfilli i Sharrës apo lista juaj e deputetëve?” përfundoi fjalimin e tij i riu, duke shkaktuar brohoritje të shumta në mesin e protestuesve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb