Disa futbollistë janë dëmtuar pikërisht atëherë kur nuk duhej, duke humbur kështu Botërorin që nis më 20 nëntor. Me afrimin e Kupës së Botës, Katar 2022 është e paevitueshme që disa nga yjet e futbollit botëror të ruhen nga dëmtimet që mund t’u shkaktojnë mungesën.
Gjithsesi, në klubet respektive kërkohet maksimumi dhe një mesazh të qartë në këtë drejtim e jep trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti. Los Blancos po përjetojnë një periudhë të mirë, por me afrimin e Botërorit që rrezikon të shpërqendrojë lojtarët, teknikun italian shprehet qartë:
“Unë besoj se lojtarët mendojnë për Botërorin, por nuk duhet të kursehen në fushë. Nëse nuk dëshiron të përballesh me rrezikun e dëmtimit, atëherë më mirë rri në divan”, – një mesazh i qartë ky i Ancelottit për yjet e Realit, me teknikun që vazhdon:
“Është e mundur që të dëmtohesh edhe në stërvitje, në një kontakt me shokun e skuadrës. Kështu që, kush ka frikë, më mirë të qëndrojë në shtëpi dhe të shikojë televizor, opsionet nuk mungojnë, pasi ka shumë filma dhe seriale të bukura”.
(BalkanWeb)
