Publikojet historia e panjohur të ndodhur në qytetin e Shkodrës nga data 11 deri më 14 janar të vitit 1990-të, kur një grup djemsh të këtij qyteti me në krye: Rin Monajkën, Flamur Elbasanin, Dedë Kasnecin, Gjergj Livadhin, Viktor Martinin, etj., u organizuan në fshehtësi dhe vendosën të bënin një demonstratë proteste në qëndër të qytetit, ku ishte busti i Stalinit, duke kërkuar heqjen e tij. Dëshmia e Gjergj Livadhit, njërit prej protagonistëve dhe organizatorëve kryesorë të asaj demonstrate që tronditi rëndë regjimin komunist të Tiranës dhe u përcoll nga disa prej mediave më të rëndësishme të botës, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, etj., kush ishin dy ideatorët e hedhjes në erë të bustit të Stalinit, përse Dom Simon Jubani s’pranoi të mbante fjalën e rastit kur do të mbahej demonstrata, kush ishte djaloshi shkrodran Kolec Kublina që e morri përsipër këtë akt, çfarë i tha ambasadori gjerman Rin Monajkës në takimin disa sekondash në qëndër të qytetit të Shkodrës dhe si i arrestoi Sigurimi i Shtetit me në krye Zylyftar Ramizin dhe Forcat Speciale të ardhura nga Tirana të gjithë organizatorët e asaj proteste një natë para se të mbahej ajo…?!

Në paraditen e datës 14 janar të vitit 1990-të, me mijëra banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit dhe për disa orë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti. Ajo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysmëshekulli të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, alarmoi regjimin dhe gjithashtu bëri bujë të madhe brënda e jashtë vëndit, duke u komentuar edhe nga shumë stacione të huaja televizive nga më të njohurit, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, BBC etj. Po kështu  demonstrata e 14 janarit të vitit 1990-të, tundi nga themelet udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Ramiz Alinë, i cili ia “faturoi” atë shërbimeve të huaja dhe kryesisht UDB-së jugosllave. Përveç organeve të diktaturës që Ramiz Alia vuri në përdorim për shtypjen e asaj demostrate, ai mobilizoi edhe gjithë arsenalin e mjeteve të propagandës që dispononte regjimi i asaj kohe, dhe në një nga fjalimet e tij pikërisht për atë ngjarje, ai artikuloi shprehjen: “Nuk tundet Taraboshi nga era”.

Po kush ishin organizatorët kryesorë të asaj demostrate dhe kur u hodh për herë të parë ideja për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër? Kush ishte personi që u takua me ambasadorin gjerman në paraditen e 11 janarit në qendër të qytetit të Shkodrës dhe çfarë u bisedua në mes tyre në lidhje me demostratën e rrëzimin e bustit? Kush ishin intelektualët shkodranë të cilëve iu kërkua të mbanin një fjalë rasti para demostratës dhe cila ishte përgjigjia e Dom Simon Jubanit? Si e mësoi Sigurimi i Shtetit të vërtetën për zhvillimin e demostratës dhe si i arrestoi të gjithë organizatorët e saj në orët e vona të natës së 13 janarit? Si u torturuan ata në zyrën e Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi në praninë e zv/Ministrit dhe Drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi? Çfarë i’u kërkohej atyre gjatë hetuesisë dhe përse Kryetari i Gjyqit në Tiranë, Sh. M., dha dënime tepër të rënda për dhjetë organizatorët e asaj demonstrate? Përse ata të dhjetë organizatorët dhe protagonistët kryesorë të asaj demonstrate ishin të fundit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist në marsin e 1991-it dhe cila është e vërteta e vdekjes në Austri, të personit që ishte takuar dhe biseduar me ambasadorin gjerman, tre ditë para demostratës në 11 janarin e vitit 1990?

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Lidhur me këto ngjarje dhe histori të panjohura dhe të gjitha detajet e asaj demostrate, na njeh me intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, Gjergj Livadhi, njëri nga organizatorët kryesorë të saj dhe gjithashtu njëri nga eksponentët e proceseve demokratike në qytetin e shkodrës në fillimin e viteve ’90-të

Zoti Gjergj, para se të flasim për demonstratën dhe gjithë ngjarjet e tjera që lidhen me heqjen e bustit të Stalinit, a mund të na thoni fillimisht diçka për familjen dhe të kaluarën tuaj. Kur keni lindur, ku keni banuar dhe ku keni punuar deri në atë kohë që u morët me organizimin e demostratës së 14 janarit të 1990 në Shkodër?

Unë kam lindur në 27 prill të vitit 1952 në qytetin e Shkodrës. Babai im, Kol Beka në vitet 1945-‘46 ka qenë në mal si antikomunist me Gjergj Vatën dhe nacionalistë të tjerë të asaj kohe. Nisur nga ky fakt, baba dhe ne si familje, shpirtërisht nuk e kemi dashur regjimin komunist të Enver Hoxhës, ndonëse nuk kemi pasur ndonjë persekucion prej tij. Ne kemi banuar në lagjen Serreq të Shkodrës dhe kemi qenë një familje e varfër që kemi parë hesapin tonë. Në vitin 1990-të kur ndodhi demostrata për rrëzimin e bustit të Stalinit, unë punoja në Ndërrmarjen Metalike të Shkodrës, por deri në atë kohë kam bërë punë krahu nga më të ndryshmet.

Kur dhe kush ishte ai që e hodhi i pari idenë e rrëzimit të bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës?

Me sa di unë, idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës e kanë hedhur fillimisht, Dedë Kasneci me Rin Monajkën. Ata të dy janë takuar me njëri tjetrin dhe kanë bisedur gjatë për atë gjë, që në pasditen e datës 10 janar të vitit 1990, pra vetëm tre ditë para se populli i Shkodrës të zhvillonte demostratën e heshtur para monumentit të Stalinit që ndodhej në lulishten ku sot është monumenti i Luigj Gurakuqit.

Pas asaj bisede, si vepruan Deda me Rinin për ta realizuar atë gjë dhe me kë biseduan tjetër?

Në paraditen e datës 11 janar, pra të nesërmen e asaj bisede, Rin Monajka, të cilin unë e kisha shok të ngushtë, erdhi dhe më takoi mua aty në lagjen Serreq dhe më tregoi për bisedën që kishte bërë me Dedën një ditë më parë. Pas kësaj ai më tha se atë ditë, pra më 11 janar, do të zhvillohej një demostratë e heshtur në qendër të qytetit të Shkodrës në shenjë proteste për heqjen e bustit të Stalinit dhe më porositi që të mblidhja sa më shumë njerëz për t’i sjellë në atë tubim proteste.

Si iu përgjigjët ju thirrjes që ju bëri Rin Monajka?

Unë i shpreha menjëherë gatishmërinë time Rin Monajkës dhe e pyeta në se ishte e sigurtë se do të bëhej ajo demostratë dhe ai më tha: “Do të bëhet pa tjetër, sepse atë gjë e kanë dhënë edhe disa stacione televizive italiane, por mundohu që të sjellësh sa më shumë persona nga lagjja Serreq.

Pas bisedës me Rin Monajkën, a mblodhët njerëz dhe a shkuat ju në qendër të qytetit të Shkodrës ku thuhej se do bëhej demostrata e heshtur?

Fill pas bisedës me Rinin, unë shkova në lagjen time Serreq dhe për 30 minuta mblodha rreth 100 vetë dhe bashkë me ta dolëm menjeherë në qendër të qytetit aty ku ndodhej busti i Stalinit.

A kishte njerëz të tjerë aty në shesh?

Aty kemi gjetur fare pak njerëz dhe midis tyre ishin edhe Dedë Kasneci me Flamur Elbasanin. Prania e atyre fare pak njerëzve në shesh, lidhej me faktin se fjalët që qarkullonin kudo në qytetin e Shkodrës për rrëzimin e bustit të Stalinit, kishin rënë edhe në veshin e Sigurimit të Shtetit dhe për të parandaluar ndonjë të papritur, ishte dhënë urdhër nga lart që data e 11 janarit, si festë zyrtare, të ishte ditë pushimi. Pra kjo ishte dhe arsyeja që paraditen e 11 janarit, e cila shënoi dhe fillimin e revoltës së heshtur për rrëzimin e bustit të Stalinit, aty në shesh kishe fare pak njerëz.

Çfarë biseduat me dy shokët tuaj, Kasnecin dhe Elbasanin aty në shesh?

Sapo u takova me Dedën e Flamurin, filluam të bisedonim me njëri-tjetrin sesi mund ta hidhnim në erë monumentin e Stalinit. Pasi biseduam për rreth 10-15 minuta, unë u spostova pak që aty dhe u afrova deri tek Kafja e Madhe, ku u takova me Pjerin Dedën dhe Bik Denikun. Atyre u thashë që të mos largoheshin prej aty pasi do hidhnim në erë bustin e Stalinit. Pas kësaj unë u ktheva përsëri aty ku ishin Deda me Flamurin dhe u ndamë me njëri-tjetrin duke e lënë që bustin ta rrëzonim me datën 14 janar”.

Para se të ndaheshit, a bëtë plane se si do ta rrëzonit bustin?

Patjetër, ne bëmë plane konkrete duke vendosur për gjithçka sesi do të vepronim deri më datën 14 janar që do të rrëzonim bustin. Por në parantezë desha të tregoj se në atë kohë që unë kam qenë duke biseduar me Dedë Kasnecin e Flamur Elbasanin, pra në paraditen e 11 janarit, në qytetin e Shkodrës kishte ardhur nga Tirana ambasadori gjerman, i cili ishte takuar dhe kishte biseduar me shokun tonë, Rin Monajkën.

Ku dhe si ishte zhvilluar ky takim mes tyre…?

Takimi ishte bërë në mes të qytetit dhe ishte parë prej dhjetëra vetësh që ndodheshin rastësisht në atë moment aty në piacë.

Kush ishte Rin Monajka dhe çfarë bisede u zhvillua në mes tij e ambasadorit gjerman?

Rin Monajka ishte lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës. Ai ishte një djalë i ri, tepër i kulturuar dhe shumë inteligjent nga natyra. Rini nuk ishte shumë i shkolluar, por në mënyrë autodidakte ai kishte mësuar prej vitesh dhe në atë kohë njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja. Një nga gjuhët që ai njihte më mirë ishte gjermanishtja dhe në mos gaboj, ajo gjë lidhej me faktin se nga të parët e tij, ai kishte një lidhje gjaku me Austrinë. Pra nisur edhe nga fakti se Rin Monajka e njihte mirë gjermanishten, ai shfrytëzoi momentin kur ambasadori gjerman po shëtiste ngadalë me makinën e tij në rrugët kryesore të qendrës së Shkodrës dhe i ka dalë përpara atij. Në atë kohë ambasadori gjerman e ka ndaluar makinën dhe ka ulur xhamin duke biseduar për dy-tre minuta me Rinin.

Çfarë biseduan…?!

Biseda e shkurtër në mes tij dhe ambasadorit gjerman, ishte bërë për bustin e Stalinit dhe diplomati i huaj i kishte thënë: “Hë! Çfarë prisni më?” Të gjitha këto që po u them, na i tregoi vetë Rini më vonë dhe ai ishte shumë i gëzuar për takimin që kishte pasur me ambasadorin gjerman.

Pak më lart u shprehët se para se të ndaheshit me Dedë Kasnecin e Flamur Elbasanin, bëtë plane sesi do të vepronit për rrëzimin e bustit më 14 janar. Më konkretisht çfarë synonin planet tuaja?

Pika e parë e planit tonë ishte që deri më datën 14 janar ne të shkonim në çdo lagje dhe qendër pune për të bërë propagandë që atë ditë të mblidheshin sa më shumë njerëz në shesh. Po kështu një nga pikat e tjera jo më pak të rëndësishme ishte dhe ajo e gjetjes së një personi, mundësisht intelektual i njohur, i cili do të mbante një fjalim të shkurtër para bustit, para se ai të hidhej në erë. Këto ishin dy nga pikat më kryesore që biseduam fillimisht dhe çdo gjë tjetër që do të na dilte, ne do i bisedonim në takimet e shpeshta që do bënim ato ditë, deri më datën 14 janar.

Sipas planit tuaj, a morët kontakt me ndonjë nga intelektualët shkodranë që do të mbante fjalimin para rrëzimit të bustit?

Fillimisht morëm kontakte me disa intelektualë që mendonim se do të ishin të gatshëm për kërkesën tonë, por ajo gjë pothuaj ishte e pamundur dhe nuk e mori njeri përsipër. Ishte më se normale, po të kemi parasysh se bëhet fjalë për janarin e vitit 1990-të, kur akoma regjimi komunist ishte i fortë dhe nuk kishin filluar ende ngjarjet e ambasadave, ardhja e Perez De Kuelarit në Shqipëri, apo ngjarje të tjera që pasuan më vonë. Pra, desha të them se në atë kohë nuk ishte fort e kollajtë të merrje përsipër që të dilje para popullit në qendër të Shkodrës dhe të flisje kundër politikës zyrtare. Ajo ishte njëlloj sikur të shkoje me këmbët e tua në burg.

A mund të na thoni ndonjë nga intelektualët shkodranë që i propozuat në atë kohë për mbajtjen e fjalimit para hedhjes në erë të bustit të Stalinit?

Nuk dua të përmënd emra, por njëri prej tyre është miku im, Dom Simon Jubani me të cilin biseduam gjatë. Dom Simoni na tha: “Unë jam klerik dhe nuk më lejohet që të vij në atë protestë e të merrem me politikë. Po të doni jam i gatshëm që të vij në çdo tubim dhe të flas e të protestojmë për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objekteve të tjera të kultit. Duhet të kemi parasysh se Dom Simoni kishte bërë një dynja burg, sa as ai vetë nuk i mbante mënd, duke qenë dhe një nga heronjtë e rezistencës antikomuniste në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës i deklaruar hapur si kundërshtar dhe armik i atij sistemi!

Pas refuzimeve që patët, si vendosët më pas, kush do ta mbante fjalën para rrëzimit të bustit?

Pas disa kontakteve që patëm me intelektualë të ndryshëm të qytetit tonë, na e mori pësipër një djalë i ri i quajtur Kolec Kublina. Ai ishte një djalë shumë i zgjuar dhe me kulturë e që nuk e donte fare regjimin komunist në fuqi. Koleci e mori përsipër që të lexonte një letër para gjithë popullit.

Përveç Dedë Kasnecit, Flamur Elbasanit, Rin Monajkës e juve personalisht, kush ishin personat e tjerë që u morën me organizimin e demostratës që do të zhvillohej më 14 janar për rrëzimin e bustit të Stalinit?

Përveç nesh ishin dhe dy vëllezërit Haxhi, Ndoc Liqejza, Gjovalin Ralba, Viktor Martini, Nikolin Thana, Tonin Dema, Nikolin Margjini, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, dy vëllezërit Alibali, një djal i Guciajve, e shoqja e Tef Curranit, Huana Kraja, e motra e Vera Omarit etj., që për momentin nuk ua kujtoj dot emrat.

Zoti Gjergj, si rrodhën ngjarjet pas paradites së 11 janarit ku në shesh ishin fare pak njerëz?

Në pasditen e 11 janarit, unë u takova përsëri me Dedë Kasnecin, Rin Monajkën, Flamur Elbasanin e me disa shokë të tjerë dhe biseduam gjatë lidhur me mbajtjen e demostratës në paraditen e 14 janarit ku mendonim të hidhnim në erë bustin e Stalinit. Pas atij takimi ku ne ndamë detyrat me njëri-tjetrin, u shpërndamë nëpër lagjet tona ku bënim propaganda, duke u thënë të gjithë njerëzve që takonim se: më datën 14 janar, duhet të dilnin në sheshin kryesor të qytetit”.

Sa takime bënit në ditë, ku i zhvillonit ato dhe a kishit frikë se mos ndiqeshit dhe survejoheshit nga Sigurimi i Shtetit?

Ne takoheshim katër-pesë herë në ditë dhe takimet i zhvillonim nëpër disa lokale të qytetit tonë, kryesisht në lagjen Serreq, pasi për vetë përbërjen e banorëve të saj, me njerëz që ishin të deklaruar kundër atij regjimi, ne ndjeheshim më të sigurtë.

Po në lagjet e tjera…?

Përveç lagjes Serreq, ne takoheshim edhe në piacë. Ndërsa për atë që pyetët, nëse kishim frikë se ndiqeshim nga Sigurimi, me thënë të drejtën ato ditë ne nuk pyesnim shumë, pasi na kishte shkuar thika në palcë dhe thirrjet e lajmërimet për të dalë në demostratë, ne i bënim fare hapur pa pasur frikë se mund të na ndiqte dhe survejonte Sigurimi. Të paktën mua personalisht në atë kohë më ishte krijuar bindja e plotë, se ai sistem nuk e kishte shumë të gjatë. Dhe bindjen time nuk nguroja ta shprehja hapur vend e pavend duke thënë: “Kanë mbaruar këta horra, nuk e kanë të gjatë”.

Po për ardhjen e ambasadorit gjerman në qytetin e Shkodrës dhe takimin e shkurtër që ai kishte bërë me Rin Monajkën, a kishte dijeni Sigurimi i Shtetit?

Me siguri që Sigurimi i Shtetit kishte dijeni për ardhjen e ambasadorit gjerman dhe takimin e tij me Rin Monajkën në qendër të piacës, pasi është i njohur fakti që asokohe të gjithë diplomatët e huaj që ishin të akredituar në Tiranë, ndiqeshin nga një repart special i Ministrisë së Brendshme, që sapo dilnin nga ambasada e tyre apo rezidenca e banimit.

Faktikisht, grupi juaj që po merrej me organizimin e demostratës së 14 janarit, a kishte rënë në sy të Sigurimit dhe a ndiqej prej tij?

Patjetër që Sigurimi kishte rënë në gjurmët tona dhe na ndiqte kudo, por si duket ata nuk na arrestuan që në fillim, pasi kërkonin të zbulonin të gjithë pjestarët e grupit dhe të mësonin se çfarë kishim vendosur ne për të bërë. Për këtë gjë në qytetin e Shkodrës kishte ardhur vetë nga Tirana, zv/Ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht ishte dhe në funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit.

Si e kishit mësuar ju praninë e Zylyftar Ramizit në qytetin e Shkodrës, ato ditë?

Unë kam kontaktuar vetë me zv/Ministrin e Brendshëm dhe kur e kujtoj tashti takimin tim të rastësishëm me Zylyftar Ramizin në një nga lokalet e Shkodrës në paraditen e 13 janarit, sinqerisht më vjen për të qeshur me ato që unë i thashë atij dhe po t’ua tregoj, do t’ju duken të pavërteta.

Si ndodhi ai takim dhe çfarë i thatë Ju Zylyftar Ramizit?

Atë ditë, pra aty nga paraditja e 13 janarit, unë së bashku me shokun tim, Nikolin Thanën, (ish-futbollist i Vllaznisë, dhe pas viteve ’90-të oficer i lartë në Ministrinë e Rendit), shkuam në një lokal (që sot nuk ekziston më pasi është prishur) dhe aty takuam disa nga shokët tanë të cilët i lajmëruam që të dilnin në demostratë të nesërmen më 14 janar. Po kështu, përveç tyre, këdo që ne takonim, të njohur dhe të panjohur, u thonim që të mos mungonin të nesërmen në demostratë. Atë unë ia thashë edhe Zylyftar Ramizit, i cili ishte mbështetur në banakun e atij lokali ku hymë ne, duke pirë një kafe a konjak. Ai kishte vënë një kasketë në kokë dhe krejt i qetë dëgjonte se çfarë bisedohej aty.

Faktikisht, a e njihnit ju Zylyftar Ramizin?

Jo vetëm unë që nuk e njihja, por besoj se ishin të paktë në Shkodër personat që mund ta njihnin atë.

Çfarë i thatë Zylyftar Ramizit dhe si iu përgjigj ai?

Unë iu drejtova atij, njëlloj si gjithë të tjerëve, duke i thënë që të nesërmen të mos mungonte në demostratë. Pas atyre fjalëve, ai u frikësua dhe doli menjëherë jashtë lokalit pa më thënë asnjë fjalë.

A dyshuat ju tek ai njeri, dhe kur e mësuat se personi që i kishit kërkuar të dilte në demostratë ishte vetë zv/Ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtori i Sigurimit të Shtetit?

Me thënë të drejtën, nga qëndrimi dhe paraqitja e jashtme e tij, unë nuk krijova asnjë dyshim, duke menduar se ai do të ishte thjesht ndonjë nga ata komunistët fanatikë që kishin kontakte të rregullta me Degën e Brendëshme dhe kurrsesi nuk më shkonte mëndja, se ai ishte vetë Drejtori i Sigurimit të Shtetit, i tmerrshmi Zylyftar Ramizi.

Kur e mësuat se me kë kishit të bënit?

Atë gjë, unë e mësova vetëm disa orë më vonë, d.m.th. në orët e vona të mesnatës duke u gdhirë 14 janari, kur forca të shumta speciale të ardhura apostafat nga Tirana, së bashku me ato të Degës së Brendshme të Shkodrës, erdhën në shtëpinë time dhe më arrestuan.

Para se t’ju pyesim për arrestimin tuaj, deshëm të dinim se çfarë përgatitjesh bëtë në datën 13 janar, për demostratën që kishit vendosur të bënit të nesërmen, më 14 janar?

Në pasditen e 13 janarit, ne bëmë një tufë letrash me parulla antikomuniste kundër regjimit dhe ato i shpërndamë në lagjen Parrucë. Atë e bëmë me qëllim që t’i tërhiqnim vëmëndjen edhe banorëve të asaj lagje, ku mendonim që nuk do të kishim ndonjë mbështetje të madhe për daljen në demostratë.

Kush i shkroi ato parulla dhe kush i shpërndau ato?

Nuk e mbaj mënd se kush u mor me shkrimin e atyre parullave dhe shpërndarjen e tyre, pasi me përgatitjen e tyre u morën vëllezërit Martini me Ndoc Liqejzën.

Përveç shpërndarjes së atyre parullave në lagjen Parrucë, çfarë bëtë tjetër në datën 13 janar, lidhur me organizimin e demostratës që të zhvillonit të nesërmen?

Përveç parullave që shpërndamë, ne vazhdonim të bënim thirrje dhe lajmërime në çdo lagje dhe qendër pune, që askush të mos mungonte në shesh në datën 14 janar. Po kështu ne kishim gjetur dhe personin që do mbante një fjalim të shkurtër para bustit të Stalinit, i cili siç ju thashë, ishte Kolec Kublina. Pra, me pak fjalë, ne pothuaj i kishim marrë të gjitha masat për zhvillimin e demostratës dhe mezi prisnim që të zbardhte dita e të dilnim në shesh. Por fatkeqësisht, siç ju thashë, dëshira jonë e madhe për të qenë prezent në atë demostratë proteste nuk u realizua, pasi pjesa më e madhe e personave që ishim marrë me organizimin e demostratës, u arrestuam nga Sigurimi i Shtetit në orët e vona të natës duke gdhirë data 14 janar.

Më konkretisht, si ndodhi arrestimi juaj?

Aty nga mesnata e 14 janarit, forca të shumta të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe ato Speciale të ardhura apostafat nga Tirana, kishin rrethuar shtëpinë time aty në lagjen Serreq. Disa prej tyre, së bashku me operativin e lagjes sonë, erdhën e trokitën në derë duke më thënë që të shkoja me ta në Degë sa për një sqarim, shkova menjëherë pas tyre deri në Degë, duke e bërë rrugën në këmbë, pasi shtëpia ime nuk ishte shumë larg saj”.

Me kë u përballët në Degën e Brendshme dhe çfarë ju thanë atje?

Sapo më futën në ambjentet e Degës, më vunë menjëherë prangat dhe më çuan në zyrën e Kryetarit, Çapajev Taçi. Përveç Çapajevit, aty në zyrë ndodheshin dhe Zylyftar Ramizi me një nga zv/ministrat e tjerë të Brendshëm të asaj kohe, të cilit momentalisht nuk ia kujtoj dot emrin. Sapo e pashë Zylyftarin, e njoha menjëherë që ai ishte personi që i kisha folur në lokal kur isha bashkë me Nikolin Thanën dhe nisur nga mënyra sesi i rrinin atij të tjerët që ishin aty, krijova menjëherë bindjen se ai ishte më i madhi i tyre. Sapo më futën në atë zyrë, Zylyftar Ramizi m’u drejtua duke më thënë: “Jemi takuar bashkë sot paradite?”

Si iu përgjigjët ju?

Ai më mbante mënd shumë mirë dhe unë as nuk e pranova por as nuk e kundërshtova duke i thënë: “Diku jemi parë”. Pas kësaj ata filluan të më akuzonin duke më thënë: “Ti po bën agjitacion e propagandë për terrorizëm dhe je i shtyrë nga agjenturat e huaja e UDB-ja jugosllave”. Në atë moment, pa e mbaruar mirë fjalën Zylyftar Ramizi, aty, në zyrën e Çapajev Taçit, hynë forcat Speciale që kishin ardhur apostafat nga Tirana. Ata m’u vërsulën menjëherë me shkopij gome, duke më goditur ku të mundnin. Mbaj mënd se që nga ai moment e deri në mëngjez kur zbardhi drita, mua më ka rënë 8 herë të fikët nga goditjet e tyre./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb