Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Është e padyshimtë se shumica e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Diasporën Shqiptare nëpër botë dëshirojnë me zemër së pari, që Kosova të shkëpusë një herë e mirë edhe vargonjtë e mbetur, që e mbajnë të lidhur me Serbinë e të vrapojë drejt Shqipërisë. Nënkuptohet se ata dëshirojnë po kaq fort e sinqerisht edhe që Shqipëria nuk duhet të rrijë e ta presë, duke e vështruar nga lart e nga larg, si dielli, hëna dhe yjet, rrugëtimin e mundimshëm e kohëgjatë të Kosovës, por t’ia hapë plotësisht dy krahët apo gjirin amtar. Vetëkuptohet se kjo është një aspiratë dhe lëvizje që nuk dëshirohet së pari në Beograd dhe nga fuqi evropiane e botërore, të dëshmuara ose si dashamirëse historike të Serbisë, ose si mbrojtëse të hartës ballkanike të lënë nga Traktati i Londrës, nënshkruar më 29 korrik 1913, justifikuar me përrallën e mosprekjes apo mosndryshimit të kufijve, çka nënkupton vazhdimin e viktimizimit të vetëm shqiptarëve. Shumica e shqiptarëve duhet të jenë apo janë të ndërgjegjshëm se rruga mes Shqipërisë dhe Kosovës është dhe do të mbushet edhe më shumë me gropa e humnera nga ata, që nuk e dëshirojnë bashkimin etnik, politik, ekonomik, arsimor, kulturor… të shqiptarëve…. Për fatin tonë të keq ata ia kanë arritur edhe me vendim ndërkombëtar dhe nen në Kushtetutën e Kosovës, që shqiptarëve në Kosovë iu ndalohet bashkimi kombëtar, ndërsa burrështetasve të Shqipërisë iu pritet zëri, e drejta e fjalës apo iu tërhiqet fort veshi, nëse guxojnë të flasin në podiume ndërkombëtare për korrigjimin e padrejtësisë historike, që iu është bërë të gjithë shqiptarëve rreth 100 vjet më parë, nga Evropa e atëhershme. Është e dukshme se në fushëbetejën politike, Serbia ka edhe një përparësi tjetër të moçme. Në qoftë se në këtë vend nuk gjen një serb, që i kundërvihet politikës zyrtare e shtetërore ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në të kundërtën, në Kosovë e Shqipëri i gjen me bollëk shqiptarët me poste të rënda, që e shtyjnë Kosovën të rikthehet në kthetrat e Serbisë. Edhe ajo që ndodhi në pasditen e 28 nëntorit 2015 në Prishtinë, edhe pse e provokuar dhe investuar më parë nga vetë viktima dhe fitimtari, Albin Kurti, shpreh se Beogradi qeveritar e shtetëror vazhdon të luajë më mirë se ekipet politike të Kosovës dhe Shqipërisë bashkë, duke vazhduar ta tërheqë zvarrë, paradoksalisht dhe padrejtësisht Kosovën, nga ana e tij. Në fund të fundit, arrestimi i Albin Kurtit dhe i rreth 95 anëtarëve dhe militantëve të Vetëvendosjes çoi ujë më shumë në mullirin e Serbisë sesa të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëpërmjet këtyre arrestimeve përcillet mesazhi tejet i konsumuar se si Prishtina, ashtu dhe Tirana, e kanë të vështirë të bëjnë shtet modern, demokratik dhe funksional, ta respektojnë atë me zemër dhe bindje, të ndërgjegjësohen se shteti ka ligje dhe se para ligjeve janë të gjithë njësoj të barabartë e të ndëshkueshëm. Diplomacia serbe, vetëm dhe shpesh me mbështetjen e hapur ruse apo më të fshehtë nga ndonjë fuqi evropianoperëndimore, po luan “bukur”, me ose pa top, në fushë e jashtë saj. Ndërsa shpreh gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, dukshëm më tepër në dobi të saj sesa të Kosovës, luan të gjithë gurët, mbi e nën fushë, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kurse diplomacia shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, po luan keq, ftohtë e me strategji mbrojtëse si në fushë ashtu edhe jashtë saj, duke i falur Serbisë hapësirë për dominim dhe shanse për një rezultat shumë më pozitiv se ai që mund të ketë paramenduar më 1999-2000. Por Serbia ka supremaci të hershme e të madhe edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, për muajin shkurt 2015, lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, përqindja më e madhe e eksportit ishte në Indi (me 18.7 për qind), Itali (12.6 për qind), Shqipëri (12.4 për qind), Belgjikë (8.9 për qind), Maqedoni (8.6 për qind), Serbi (3.2 për qind), Mal të zi (2.8) etj. Ndërsa përqindja më e madhe e importit është nga Serbia (17.1 për qind), Gjermania (10.2 për qind), Kina (9.5 për qind), Italia (8.3 për qind), Turqia (7.7), Shqipëria (7.2 për qind), Maqedonia (4.9 për qind) etj. Po sipas ASK-së, edhe pas 6 muajsh, në shtator 2015, përqindja më e madhe e eksportit të Kosovës ishte në: Serbi (14.7%), Indi (14.4%), Shqipëri (13.2%), Maqedoni (10.8%), Belgjikë (10.1%) etj. Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (16.6%), Gjermania (9.7%), Italia (9.0%), Turqia (8.8), Kina (8.2%), Maqedonia (5.8%) etj. Pra, nënkuptohet, importet nga Shqipëria janë nën 5% ose afro 4 herë më të ulëta se nga Serbia. Por, rreth 300-500 milionë euro karburante dhe mallra të tjera, që futen kontrabandë nga Serbia, kryesisht nëpërmjet pikave doganore në veri të Mitrovicës dhe duke i anashkaluar ato, jo vetëm natën, por edhe ditën me diell, e bëjnë edhe më të dukshëm dhe më alarmant, nënkuptohet për ne shqiptarët, dominimin serb. Në takimin pompoz të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, më 22 mars 2015, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mes të tjerave, tha se prioritet i qeverisë së tij është bashkëpunimi me Shqipërinë për një sërë fushash, duke filluar nga ajo ekonomikja, e cila sipas Mustafës është fusha, që dy vendet e kanë lënë më tepër pas dore. Por, as ai dhe as homologu i tij Edi Rama nuk u kujtuan të rrëfehen se pse paraardhësit e tyre dhe ata vetë në këta rreth 2 vjet, e kanë lënë pas dore intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe pse kanë lejuar të ruhet e të thellohet supremacia serbe.
Kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa gjatë konferencës së përbashkët për mediat prezantuan aq shumë marrëveshje ekonomiko-tregtare, arsimore, kulturore, konsullore-administrative mes Shqipërisë dhe Kosovës, sa i marramendën shqiptarët dhe i tërbuan qarqet zyrtare e politike në Beograd. Por, të nesërmen duket se vazhdoi tradita rreth 16-vjeçare. Shumica e teksteve të marrëveshjeve të reklamuara me aq bujë ose janë harruar fare në dosje ose sa kanë nisur, pa pasur vazhdimësi të rregullt. Siç njoftohej nga mediat shqiptare, më 27 prill 2015, gjatë një tryeze të organizuar në Tiranë, ku merrnin pjesë deputetë, ministra të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të ambasadave të akredituara në Shqipëri, drejtori i fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, Frank Hantke, që operon prej disa vitesh në Shqipëri, ka thënë se për raportet Kosovë-Shqipëri “janë bërë shumë takime, por marrëdhënia e vërtetë mes dy vendeve është shumë e dobët. Ka shumë fjalë e deklarata, por pak punë. Ne nuk duhet të flasim për vizione, por për realitetin. Duhet të gjejmë ku janë pengesat, të cilat janë të brendshme dhe nuk vijnë nga BE…” Arta Dade, deputete e PS-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme në Shqipëri, tha se “diskutohen shumë gjëra, janë bërë shumë marrëveshje, mbledhje qeverie e të tjera takime, por nuk është thënë se sa po zbatohen këto në realitet, deri ku kanë ecur dhe cilat janë pengesat”. Po kështu, më 3 nëntor 2015, deputetët e Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Infrastrukturën, Tregtinë dhe Industrinë në Kosovë, Besim Beqaj dhe Fatmir Rexhepi, kanë shprehur shqetësime për barrierat, që – sipas tyre, – po u bën Shqipëria transportuesve kosovarë.
Ata thanë se, transportuesit paguajnë 22 euro, si tarifë skanimi doganor, për një skaner të Doganës në pjesën e Shqipërisë, i cili sipas tyre as nuk funksionon.
Po sipas Beqajt dhe Rexhepit, “me anë të një takse të re, e cila nuk e di a është taksë me kuptimin e plotë të fjalës, kur transportuesit nga Kosova hyjnë në territorin e Shqipërisë, duhet të kenë jo më shumë se 200 litra naftë. Ndëshkimet shkojnë deri në 1000 euro për një tejkalim të kësaj sasie…”
Deputeti Fatmir Rexhepi u shpreh edhe më shqip: “Kemi mbajtur takime pompoziteti në Prizren, në Kala, e gjithkund tjetër, me ministra e kryeministra, por punë ende nuk kemi bërë. Pra, thjesht kemi bërë një mashtrim optik për qytetarët e vendit, sidomos për ekonominë, por me të kaluar të nesërmen kemi nxjerrë edhe më shumë barriera”. Këto fakte, krahas të tjerave, përcjellin mesazhin se pavarësisht nga retorika kombëtare në favor të një bashkëpunimi shumëplanësh dhe intensiv mes dy vendeve, bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë ka mbetur më së shumti në nivelin e deklaratave apo të projekteve që nisin e lihen në fillim apo në mes të rrugës. Porti i Shëngjinit, Turizmi Patriotik, Rruga e Kombit, unifikimi doganor, arsimor…, janë disa nga iniciativat e përmendura shpesh nga propaganda, por të panisura ose të shfrytëzuara akoma pak në terren. Në disa raste, paradoksalisht është kaluar deri në veprime ekstreme, kur raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë karakterizuar me “inate” të strukturave qeveritare, duke e shndërruar reciprocitetin në një mekanizëm për përgjigje në formën “bllokadë për bllokadë”. Kjo u shpreh qartë në ditët e fundit të marsit 2013, në bllokimet me urdhra ministrorë të qumështit nga Shqipëria dhe të miellit nga Kosova. Klasa politike shqiptare, shumica e papërgjegjshme dhe e dhënë gjatë 24 orëve dhe 365 ditëve pas përfitimeve sa më të mëdha personale, familjare apo ortakërore apo “gurë shahu” të një skenari të moçëm, as nuk ka kohë, nge dhe dëshirë të ndjekë ecurinë e raporteve Shqipëri-Kosovë dhe Serbi-Kosovë dhe as ka gojë e zë të shprehë shqetësim dhe ankesa, për faktin se, ndryshe nga sa duhej të ishte lëvizje e natyrshme dhe dëshirojnë dhe presin shqiptarët, Serbia po e tërheq Kosovën më fort sesa Shqipëria. Gjithashtu, nuk mund të pranohet si çështje fati, rastësore, gabimesh prej mungesës së përvojës në strategji e taktika nga qeveritë shqiptare të periudhës 1992-2015, që Shqipëria ka një periudhë të gjatë kohore që lufton me vetveten dhe në vetvete, se cili krah, klan apo grupim politik të sigurojë sa më shumë kapital politik, qeverisës, ekonomik, financiar. Ky konsumim në vetvete i ka marrë shumë energji dhe kohë diplomacisë shqiptare, e ka lodhur aq fort sa të ndihet “e përgjumur” apo indiferente ndaj sukseseve të vazhdueshme të diplomacisë serbe. Kjo nga ana e saj ka shekuj që dëshmon me vepra se nuk ndjen lodhje dhe ngopje kur është fjala për të përfituar sa më shumë, jo vetëm politikisht, nga Kosova dhe Shqipëria. Bashkërendimi dhe koordinimi i politikave mes Shqipërisë dhe Kosovës, harmonizimi i legjislacioneve; ndërveprimi midis parlamenteve dhe qeverive, dikastereve, institucioneve të pavarura, p.sh. gjykatave e prokurorive; realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore, sidomos të korridoreve të transportit; veprimtaritë dhe projektet e përbashkëta kulturore, akademike, studimore, kërkimore-shkencore, sportive etj. do të sillnin një realitet krejt tjetër në raportet e Kosovës me Shqipërinë nga njëra anë dhe me Serbinë, nga ana tjetër. Të gjitha këto dihen, njihen, thuhen e pranohen nga shefat e politikëbërjes dhe të qeverisjeve shqiptare, por deri më sot shprehet se i kanë “harruar” shpejt apo më rëndë, se flasin sa për demagogji e propagandë. Merret me mend se harresën dhe boshllëkun e tyre nxitojnë t’i shfrytëzojnë shpejt dhe maksimalisht, ashtu si gjithmonë, qeveritarët e Beogradit.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
