Deputeti i PS, Petro Koçi i ftuar ditën e sotme në rubrikën “Opinion” në News24, foli për situatën aktuale në të cilën ndodhet Partia Demokratike, si dhe vendimin e KQZ për të mos regjistruar grupimin e Alibeajt si subjekt zgjedhor.

Sa i takon vendimit të gjykatës për vulën, ai tha se bashkohet me mendimin se ka qenë i vonuar, dhe se PS jo vetëm që nuk ka gisht në këtë proces, por shton se do të ishte në favorin e saj dalja sa më shpejt e tij.

“Jemi në një situatë ku mazhoranca ka dominancë të thellë. Opozita në terren thuajse nuk ekziston. Ka një perceptim që zgjedhjet janë si në 2019,  gjë që na shqetëson se mos demotivohen njerëzit dhe nuk shkojnë në votime. Ndaj më vjen për të qeshur. Besoj se opozita ka çështje formale për të zgjidhur, që lidhen me logon e kështu me radhë. Mendoj se interesi i PS ka qenë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, sepse duke pasur kohë në dispozicion, sepse interesi ynë do ishte që këta të dalin me dy kandidatë, pra sa më shpejt të zgjidhej aq më shpejt do nxirrnin kandidatët. Unë bashkohem me mendimin se gjykata duhej të kishte vendosur më shpejt. Me këtë variantin që akoma nuk është ndarë, jemi në zgrip dhe kjo mund të çojë në opsionin që njëra nga palët mund të mos regjistrohet në zgjedhje. Ky argumenti që është PS pas, nuk shkon. Berisha duhet pranuar, e ka tërhequr zvarrë historinë e këtij vendi dhe është në një situatë për herë të parë, që nuk ka çfarë bën më. Është në fundin e tij. Them se me një personazh tjetër mund të ishin më konkurrues”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, i pyetur për thirrjen e ministres Olta Xhaçka në SPAK, ai tha se nëse ka ndodhur tjetërsim me bazën ushtarake të Limionit në Sarandë, kushdo që ka përgjegjësi, duhet të përballet me drejtësinë.

“Nuk është se kam ndonjë informacion të detajuar për këtë gjë. Di se ka ndodhur një tjetërsim prone, nuk di si ka ndodhur, është dhënë me qira apo është tjetërsuar, por ligji duhet të veprojë me rreptësi. Ata do kenë parë diçka që nuk shkon me ligjin, ndaj SPAK ka vepruar. Nëse ka shkelje të ligjeve dhe cënim të interesave të mbrojtjes, sigurisht që kushdo ka përgjegjësi duhet ta mbajë. Xhaçka është personi që mund të japë një përgjigje, sepse e njeh këtë çështje. Unë nuk mund të paracaktohem, e dyta, në fund të fundit është drejtësia ajo që vendos”, deklaroi ai.

Po ashtu ai ka komentuar edhe shkrimin në “Financial Times”, ku mes të tjerash thuhej se Edi Rama ka dështuar në luftimin e krimit në vend.

“Shkrime të tilla ka shpesh në media ndërkombëtare, ka shkrime pozitive ose negative. Përgjithësisht ka shkrime që promovojnë vendin tonë në turizëm apo në rolin që ka në politikën ndërkombëtare në rajon e NATO. Nuk besoj se është e udhës të analizosh shkrime që botohen lirisht nga gazetarë të caktuar. PS ka qenë partnerja numër 1 e presionit ndërkombëtarë për reformën në drejtësi.

Gazetat përmendin faktet që ndodhin në Shqipëri. McGonigal është bërë një diskutim i madh, dhe është krejt normale në një shkrim, se është diçka që ka ndodhur, gjithë ajo zhurmë në Kuvend, etj.

Gazetat shkruajnë problematikën që kjo çështje përfshinë SHBA-në, që përmenden dhe faktet që disa takime me zyrtarë nuk i ka komunikuar”, tha Koçi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: