Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe homologu shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani  kanë zhvilluar një takim në Tiranë ndërkohë që kanë dhënë dhe një konferencë për shtyp.

Xhaçka ka konstatuar se të dyja vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet e BE, dhe do ishte keqardhje nëse gjithë kjo punë e madhe do zhgënjehej nga konsideratat subjektive të vendeve anëtare.

Ajo thotë se Shqipëria e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimit europian, teksa shprehu edhe dëshirën për forcimin e bashkëpunimit ndërqeveritar.

FJALA NGA OLTA XHAÇKA

Mirëdita të gjithëve!

Unë dua t’i shpreh edhe njëherë mirëseardhjen kolegut tim, Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani.

Siç e dini, kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm që nga momenti që mora detyrën dhe jam e lumtur që pata nderin të mirëpres kolegun Osmani. Kjo jo vetëm për faktin që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë vërtet të shkëlqyera, por edhe për faktin që ka diçka speciale kur mund të bisedosh në shqip me një homologun tënd.

Patëm vërtet një bisedë të shkëlqyer dhe konstruktive. Në fakt, temat që ndajmë me Maqedoninë e Veriut janë aq të shumta, sa nuk mjafton një bisedë apo një vizitë si kjo për t’i prekur të tëra. Por jam e sigurt që me z. Osmani do të vazhdojmë atë traditë shumë të suksesshme komunikimi e bashkëpunimi, që është konsoliduar tashmë prej vitesh mes vendeve tona.

Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë realisht një nga shtyllat e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin tonë. Ne ndajmë të njëjtën bindje, që bashkëpunimi dypalësh mund dhe duhet të zgjerohet më tej, qoftë në diplomaci, qoftë në shkëmbime, qoftë në fusha si ndërlidhja midis vendeve tona, infrastruktura, energjia, shkëmbimet tregtare, turizmi, arsimi, kultura etj, sepse nga kjo do të përfitojnë jo vetëm vendet tona, por edhe mbarë rajoni.

Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një moment me shumë sfida e vështirësi, por edhe një moment shprese e guximi për të parë përpara.

Vendet tona po përballen, prej thuajse një viti me pandeminë COVID-19, me pasojat e kësaj pandemie, jo vetëm tek shëndeti i popujve tanë, por edhe tek sistemet shëndetësore dhe ekonomitë tona. Situata me të cilën jemi përballur që prej Marsit 2020, ka qenë vërtet e vështirë për të gjithë ne e për të gjithë botën në fakt. Por pikërisht në kohë si kjo, kemi nevojë më shumë se kurrë për bashkëpunim e solidaritet, sidomos mes vendesh si tonat, që ka aq shumë gjëra që i lidhin.

Por, krahas kësaj krize mbarë botërore që na ka prekur edhe ne, 2021 në fakt është edhe një moment shprese, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, presin të hedhin një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian.

Dhe dua të përfitoj nga ky rast, për të theksuar edhe njëherë disa fakte, për të cilat besoj që kam edhe dakordësinë e kolegut Osmani.

Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.

Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën evropiane. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ishte një arritje e shkëlqyer, që e ka bërë rajonin tonë shumë më të sigurt. Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE.

Dhe këtu – e lashë për në fund sepse dua t’i jap peshën që i takon dhe vlerësimin tim maksimal – ka luajtur e luan një rol të jashtëzakonshëm faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë fuqimisht faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, angazhimin konstruktiv të partive politike shqiptare, por edhe progresin e mëtejshëm në çështje me rëndësi themelore, siç është nevoja për zbatimin praktik të MKO-së e Ligjit të Gjuhëve, si gurthemeli i arritjes së barazisë së plotë mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, si dy komunitete shtetformuese.

Unë nuk po zgjatem më tej, por dua ta falënderoj kolegun Osmani, t’i uroj atij shumë suksese në punën e tij, ta garantoj për dëshirën time dhe të qeverisë shqiptare për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes vendeve tona dhe pa humbur kohë t’i kaloj fjalën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb