Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të hënën një masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të Presidentes Vjosa Osmani dhe të Kuvendit deri më 31 mars, pas shqyrtimit të dekretit të shpërndarjes së Kuvendit nga kryeministri Albin Kurti.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe është marrë në bazë të nenit 116 të Kushtetutës dhe rregullave të punës së Gjykatës, duke ndaluar të gjitha veprimet deri në përfundimin e shqyrtimit të plotë kushtetues.

Gjykata tha se masa vlen deri në vendosjen e rastit nga ajo dhe se ajo “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, pasi e shpërndau Kuvendin përmes dekretit, i cili u kundërshtua në Kushtetuese nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.

Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb