Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, e cila e kthehu atë në detyrë. Bardhi e cilësoi vendimin si një akt politik dhe jo juridik.
Në një postim në ‘FB’, Bardhi tha se vendimi nuk përbën surprizë dhe, sipas tij, vjen si pasojë e presionit të ushtruar nga Kryeministri Edi Rama mbi Gjykatën Kushtetuese. Ai theksoi se opozita e kishte paralajmëruar këtë zhvillim prej ditësh.
Sipas Bardhit, shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë dhënë asnjë argumentim thelbësor për vendimin e tyre, çka, në vlerësimin e tij, tregon se ai nuk ka lidhje me Kushtetutën apo ligjin, por është një manovër politike për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur Kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij.
REAGIMI
Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo!
Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh.
Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim ska asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike.
Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë.
Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.
Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!
