NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Gjykata Kushtetuese lë në fuqi nenin 169 të Kodit Civil, sipas të cilit poseduesi i një toke për 20 vjet me radhë kthehet në pronar legjitim të saj. Kushtetuesja mori në shqyrtim çështjen me nr. 58/16 me palë kërkuese Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe subjekte të interesuara, Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Objekti i kërkesës, “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 169 të Kodit Civil në pjesën që nuk njeh të drejtën subjektive të ish-pronarit që të kompensohet për humbjen e pasurisë me ekuivalencën e vlerës së saj”.

VLERËSIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
“Duke e vlerësuar legjitimimin e gjykatës referuese në këndvështrim të kritereve si më sipër, gjykata vëren se në rastin konkret, gjykata referuese është vënë në lëvizje me kërkesëpadi të subjektit të interesuar, Safet Sulaj kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me objekt të saj njohjen e paditësit pronar mbi një pronë truall dhe shtëpi mbi të me anë të parashkrimit fitues, në bazë të nenit 169 të KC-së. Në këto kushte, dispozita e kundërshtuar është ligji i zbatueshëm në rastin konkret”, thuhet në vendim. Sipas nenit 41 të Kushtetutës: “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”.

Në legjislacionin tonë, sa më sipër, rregullohet përmes nenit 149 të KC-së, i cili parashikon se: “Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji”, ndërsa në nenet 164-190 të këtij Kodi parashikohen mënyrat përkatëse të fitimit dhe të humbjes së pronësisë. Sipas nenit 169 të Kodit Civil, “Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”, thuhet në vendim. Sipas Kushtetueses, parashkrimi fitues (me titull ose pa titull) është një nga mënyrat e fitimit të pronësisë. Fitimi i pronësisë me parashkrim fitues pa titull, institut i parashikuar nga neni 169 i Kodit Civil, ka si element thelbësor dhe të vetëm ekzistencën e posedimit qetësisht dhe pa ndërprerje të sendit të paluajtshëm për 20 vjet.

Natyrisht që sjellja gjatë këtij posedimi duhet të jetë njësoj sikur poseduesi të ishte pronar i sendit. Nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në këto dispozita, pronari i mëparshëm i sendit humbet të drejtën e tij të pronësisë mbi sendin, pasi parashkrimi fitues në kushtet e përcaktuara në ligj mund të sjellë lindjen ose fitimin e së drejtës së pronësisë. E DREJTA E PRONËS Gjykata vlerëson gjithashtu, se e drejta e pronësisë, si një nga të drejtat e mbrojtura nga Kushtetuta nuk cenohet si pasojë e mosparashikimit të së drejtës së kompensimit të ish-pronarit në rast të transferimit të titullit të pronësisë, si pasojë e zbatimit të nenit 169 të Kodit Civil. Titullari i së drejtës së pronësisë është i mbrojtur në çdo rast kur pretendon cenimin apo kufizimin e kësaj të drejte. Neni 169 i KC-së kërkon posedimin e pronës nga poseduesi jopronar qetësisht e pa ndërprerje dhe duke u sjellë si të ishte i tillë, ndërkohë që çdo veprim i kryer nga pronari i ligjshëm gëzon mbrojtje ligjore dhe sjell efektin e ndërprerjes së efektit të parashkrimit dhe moszbatimin e këtij instituti.

“Sipas GJEDNJ-së, pretendimi për kompensim në raste të tilla duhet trajtuar në këndvështrim të parimit të sigurisë juridike. Sipas saj, shuarja e së drejtës së pronësisë, kur pronari nuk ka mundur të rimarrë tokën e tij si pasojë e zbatimit të ligjit, nuk mund të thuhet se është haptazi pa baza të arsyeshme. Për këtë arsye ka pasur një interes të përgjithshëm për afatet dhe shuarjen e titullit të pronësisë në përfundim të afatit. Kërkesa për kompensim në rastin kur njëra palë nuk ka arritur të ndërpresë afatin e parashkrimit, bie në kundërshtim me konceptin e “afatit”, qëllimi i të cilit është vazhdimësia e sigurisë ligjore që pala tjetër nuk do të paditet pas kalimit të një date të caktuar”, thuhet në argumentin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

VENDIMI
Në vlerësim të gjykatës nuk është arritur të argumentohet mjaftueshëm në nivel kushtetues se mungesa e një parashikimi ligjor në nenin 169 të KC-së për njohjen e së drejtës së kompensimit për ish-pronarin në rastin e kalimit të titullit me anë të parashkrimit fitues bie ndesh me parimet dhe standardet kushtetuese të pretenduara nga gjykata referuese. Në kushtet kur gjykata referuese nuk ka arritur të paraqesë argumente bindëse për të mbështetur kërkesën e saj, kjo kërkesë është e pabazuar dhe duhet të rrëzohet. ANKIMUESI Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë (gjykata referuese) është vënë në lëvizje për gjykimin e çështjes civile me paditës shtetasin Safet Sulaj (subjekt i interesuar), të paditur Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe me objekt detyrimin për njohjen e paditësit pronar me parashkrim fitues mbi një pronë truall dhe shtëpi të ndodhur në Vlorë, zona kadastrale 8601 me nr. 16/90 pasurie.

Paditësi ka pretenduar se e ka poseduar pasurinë objekt gjykimi për më shumë se njëzet vjet, pa ndërprerje, në mënyrë publike, sikur të ishte pronar dhe qetësisht, si dhe se pasuria objekt gjykimi nuk është e përfshirë në rrethin e pasurive të paluajtshme të patjetërsueshme si pronë publike. Gjykata referuese ka parashtruar këto argumente përpara gjykatës për të mbështetur qëndrimin e saj për jokushtetutshmërinë e nenit 169 të Kodit Civil, në pjesën që nuk njeh të drejtën subjektive të ishpronarit që të kompensohet për humbjen e pasurisë me ekuivalencën e vlerës së saj. Sipas gjykatës referuese, në nenin 18 të Kushtetutës është sanksionuar parimi i barazisë para ligjit dhe i mosdiskriminimit.

Çmohet se prona e ishpronarit dhe ajo e pronarit të bërë rishtazi nëpërmjet parashkrimit fitues nuk mbrohen në mënyrë të barabartë, kur bëhet fjalë për formulën e zgjidhjes ligjore. Sipas saj, zgjidhja ligjore e shumëzimit me zero të pasurisë së ish-pronarit dhe begatimi me gjithçka i pronarit të ri krijon pabarazi në të drejtën e pronës. Nëse pasuria e humbur në mënyrë të pavullnetshme për shkak të ligjit do të ekuivalentohej në një vlerë kompensuese nga pronari i ri, do të arrihej mbrojtja kushtetuese dhe ligjore e barabartë dhe proporcionale e secilit prej këtyre subjekteve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: