Brenda afatit ligjor 1 mujor Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e arsyetuar, përmes të cilit rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për shpalljen si antikushtetues të vendimit të Gjykatës së Posaçme që pezulloi nga ushtrimi i funksioneve Belinda Ballukun, e pandehur dhe nën hetim nga SPAK për abuzime me tenderat në vlera miliona euro.
Bëhet fjalë për vendimin e datës 6 shkurt, kur kërkesa u rrëzua përderisa Kushtetuesja nuk arriti kuorumin e duhur prej pesë votash, dhe doli me dy qëndrime lidhur lidhur me konfliktin e kompetencave mes ekzkekutivit dhe pushtetit gjyqësor.
Kryeministri pretendonte se Balluku s’mund të pezullohej nga detyra, pasi Ministri gëzon të njëjtat të drejta si deputeti dhe ligji ndalon masën e pezullimit për te zgjedhurit dhe se Gjykata përmes vendimit kishte ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit.
Duke u ndalur te reforma kushtetuese e vitit 2012 për imunitetin, gjyqtarët kushtetues arsyetojnë se imuniteti nuk është privilegj personal i ministrit dhe smund të përdoret si mburojë për ndjekjen penale.
“Imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta”, thuhet në vendim.
Lidhur me masën e pezullimit nga detyra, Kushtetuesja arsyeton se për caktimin e kësaj mase SPAK nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit, pasi nuk përfshihet në garancitë e imunitetit.
Pezullimi nga detyra i një ministri nuk prek kompetencat e pushtetit ekzekutiv, por ndalon përkohësisht ministrin të ushtrojë detyrën, me qëllim garantimin e procesit penal, thekson Kushtetuesja.
Më tej, Kushtetuesja arsyeton, se efektet e masës nuk ndërhyjnë në kompretencën Kushtetuese të kryeministrit dhe se kërkesa Ramës në thelb nuk synon zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje kompetencash, por anulimin e vendimeve individuale gjyqësore.
