Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, njofton se në seancën e sotme do të diskutohet projektligji i propozuar prej saj, i cili synon ndalimin e koncesioneve në trashëgiminë kulturore dhe garantimin që shteti të jetë gjithmonë autoriteti mazhoritar, përfshirë edhe në fondacionet e krijuara posaçërisht.
Zhupa i bën thirrje mazhorancës të heqë dorë nga qëndrimi i deputetit socialist Erion Malaj, sipas të cilit çështja duhet parë rast pas rasti dhe privatit nuk mund t’i hiqet e drejta të jetë mbi shtetin në administrimin e trashëgimisë.
“Pikërisht këtë dua të ndaloj,” thekson ajo, duke shtuar se trashëgimia kulturore nuk është aset ekonomik, por identitet dhe kujtesë kombëtare e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila, sipas saj, duhet të zbatohet gjithmonë dhe jo sipas preferencave. Zhupa ftoi deputetët socialistë ta votojnë projektligjin, duke vendosur “Shqipërinë mbi partinë”.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Sot në seancë do diskutojmë projektligjin e propozuar nga unë, që për trashëgiminë kulturore të mos jepen më koncesione dhe që shteti të jetë gjithmonë autoriteti mazhoritar në çdo rast dhe në fondacione të krijuara posaçërisht.
Uroj që mazhoranca të heq dorë nga qëndrimi i deputetit socialist Erion Malaj se kjo nuk mund të bëhet me ligj, sepse duhet parë rast pas rasti, dhe nuk mund t’i hiqet privatit e drejta për të qenë mbi shtetin në administrimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Pikërisht këtë dua të NDALOJ.
Trashëgimia kulturore nuk është një aset i zakonshëm ekonomik. Ajo është identitet, histori dhe kujtesë kombëtare. Dhe si e tillë, është e mbrojtur nga Kushtetuta, jo nga preferencat e momentit dhe as nga marrëveshje të përkohshme.
Kushtetuta nuk zbatohet sipas rastit. Ajo zbatohet gjithmonë.
Identiteti, historia dhe trashëgimia nuk mund të jenë subjekt pazari. Ato janë përgjegjësi shtetërore dhe detyrim kushtetues.
Ftoj kolegët socialist ta votojnë sot pro, dhe mos vënë partinë mbi Shqipërinë.
