Rreth 15 kilometra rrugë, një investim prej miliona eurosh dhe vetëm dy vite pas përfundimit, aksi Vllahinë–Poçem përballet me dëmtime në disa segmente të tij.
Rruga, e cila lidh zonat e Selenicës me Mallakastrën dhe më tej me aksin Levan–Tepelenë, u rikonstruktua në kuadër të projektit për përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe asaj turistike në Shqipëri.
Sipas tabelës së projektit të vendosur në aks, investimi ka një vlerë prej 4 milionë e 720 mijë e 655 euro, me TVSH, ndërsa punimet janë realizuar nga bashkimi i kompanive “Shkëlqimi 07” dhe “Fusha”. Afati i parashikuar për realizimin e punimeve ka qenë 487 ditë.
Punimet nisën në vitin 2023 dhe rruga përfundoi në vitin 2024, por tashmë, në disa pjesë të saj, janë shfaqur çarje, deformime dhe ulje të trupit të rrugës.
Problematika më e dukshme paraqitet pranë fshatit Karbunar, ku rreth 400 metra të aksit janë prekur nga rrëshqitja e tokës. Lëvizja e terrenit ka dëmtuar asfaltin dhe ka sjellë deformime në sipërfaqen e rrugës, duke kërkuar ndërhyrje për stabilizimin e segmentit.
Dëmtimet ngrejnë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e rrugës dhe masat e marra për stabilizimin e terrenit gjatë projektimit dhe ndërtimit të saj.
Mbetet për t’u parë nëse problematikat janë shkaktuar vetëm nga lëvizja natyrore e tokës apo nëse ka pasur mangësi në projektim, zbatim apo në masat mbrojtëse të parashikuara për këtë segment.
Investimi synonte të përmirësonte lidhjen mes zonave të Selenicës dhe Mallakastrës, të lehtësonte qarkullimin e mjeteve dhe të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave përgjatë këtij aksi.
Por vetëm dy vite pas përfundimit të punimeve, një pjesë e rrugës kërkon ndërhyrje për shkak të dëmtimeve të krijuara, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i tyre dhe mënyra se si do të ndërhyhet për rikthimin e segmentit në gjendjen e projektuar.
