Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku në fokus do të jenë rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027.

Seanca e parë, e cila është vazhdim i mbledhjes së kaluar, do të nisë në orën 10:00. Në rend dite është parashikuar votimi i dy projekt-rezolutave, njëra që lidhet me situatën në sistemin shëndetësor, pas vdekjes së një pacienteje me kancer gjiri, e cila mbeti katër muaj pa marrë terapinë, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, deputetët do të votojnë projekt-rezolutën lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Një tjetër çështje e rëndësishme që do të shqyrtohet është rikthimi për rishqyrtim i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i kthyer në Kuvend nga Presidentja e Kosovës.

Ndërkohë, në orën 11:00 do të mbahet seanca e radhës plenare, ku një nga pikat kryesore është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Në këtë seancë do të shqyrtohen gjithashtu Projektligji për Efiçiencën e Energjisë dhe ai për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Në rend dite janë edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu rekomandimin për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb