Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota pro rezolutën për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila parashikon edhe themelimin e një Komisioni Parlamentar për hetimin e rrethanave të ngjarjes.

Përveç krijimit të komisionit, rezoluta përfshin edhe disa masa për parandalimin e dhunës në familje dhe mbështetjen e personave që përballen me situata të vështira.

Konkretisht, parashikohet krijimi i një linje falas këshillimi për çiftet dhe familjet që përballen me vështirësi, sigurimi i shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljeve të dhunshme dhe përsëritjes së tyre, si dhe ofrimi i këshillimit psikologjik dhe edukimit për parandalimin e dhunës në adoleshencën e hershme.

Gjatë votimit të rezolutës nuk ishin të pranishëm të gjithë deputetët, çka ka sjellë edhe reagimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ajo kritikoi deputetët që, sipas saj, kanë ngritur akuza, por nuk kanë qëndruar në sallë për të votuar.

“Të vijnë këtu e të hedhin akuza e mos me qëndru në sallë për të votuar, kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Gjithsesi, secili deputet le ta ketë përgjegjësinë e vet”, deklaroi Haxhiu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb