Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka ndarë të tjera detaje dhe prapaskena mjaft interesante përpara mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, duke u ndalur te synimet e Sali Berishës dhe ndryshimet në strukturën drejtuese të partisë.
Kalaja theksoi se fokusi kryesor i demokratëve duhet të jetë fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa zbuloi se në kupolën e re të PD-së pritet të ketë ndryshime sa i përket figurave kryesore, duke përfshirë emërimin e një gruaje në postin e nënkryetares.
Sipas kreut të degës së Krujës, debati i brendshëm për lidershipin ka përfunduar dhe tashmë e gjithë energjia duhet orientuar drejt rrëzimit të qeverisë dhe jo drejt ruajtjes së karriges së tij brenda selisë blu.
“Puna është çfarë do të ndodhë me PD-në. Problemi i vetëm sot është të fitojmë zgjedhjet. Berisha i ka fituar zgjedhjet në PD dhe unë nuk besoj se ai po luan për pushtetin e vet në parti,” u shpreh Kalaja, duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj liderit demokrat.
Më tej, Kalaja ngriti një çështje që sipas tij është anashkaluar ndër vite nga Partia Demokratike: balanca dhe përfaqësimi i komuniteteve fetare në forumet e larta vendimmarrëse, krahas ndryshimeve të reja emërore që priten të zyrtarizohen.
“Me sa kam marrë vesh, një zonjë do të jetë nënkryetare në PD. Por në strukturat tona duhet parë me kujdes edhe feja. PD ka bërë gabime në të kaluarën duke mos ndjekur përfaqësimin fetar. Komunitetet fetare tradicionalisht në Shqipëri duhet të kenë përfaqësimin e tyre të merituar në forumet drejtuese të PD-së,” përfundoi Kalaja.
