Kuvendi i Kosovës ka miratuar pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare, me 104 vota pro, asnjë kundër dhe 5 abstenime.

Dy nga këto marrëveshje lidhen drejtpërdrejt me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

E para parasheh mbështetje për Kosovën në kuadër të këtij plani, në zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik. E dyta është marrëveshje kredie në kuadër të të njëjtit plan, që siguron mjete financiare për realizimin e reformave të dakorduara.

Marrëveshja e tretë është arritur me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe ka të bëjë me mbështetje për menaxhimin e financave publike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Deputetët kanë miratuar edhe marrëveshjen për projektin “Kompas”, që synon forcimin e sistemit shëndetësor në vend.

Marrëveshja e pestë parasheh investime në edukimin në fëmijërinë e hershme dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha përmes një mesazhi në rrjetet sociale se miratimi i 5 marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend i hapi rrugën 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin.

“Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi”, shkruan Presidentja në “Facebook”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb