Të premten në orën 10:30 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren dhe Imunitetin në Kuvend, ku prokurorët e SPAK do të kërkojnë autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
SPAK do të përfaqësohet nga prokurori i çëdhtjes, Dritan Prençi, drejtuesi i ri Klodian Braho, si dhe prokurorja e posaçme Dorina Bejko.
Treshja e prokurorëve të SPAK do të argumentojë arsyet për arrestimin e Ballukut.
Por, një orë para mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetin, do të mblidhet Sekretariati i Etikës. Socialistët kanë kërkuar dënimin e 29 deputetëve demokratë për tensionin në kuvend gjatë seancës së të enjtes, por burime për News24 bëjnë të ditur se asnjë prej ligjvënësve opozitarë nuk rrezikon pjesëmarrjen në mbledhjen për imunitetin e Ballukut.
Kjo pasi, pezullimet e Sekretariatit të Etikës vlejnë vetëm për komisionet parlamentare dhe për seancat e Kuvendit, e jo për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetin.
