Deputeti Luçiano Boçi në konferencën e Kryetarëve, deklaroi se Kuvendi po kthehet në një institucion pa vlerë.
Boçi ka kërkuar që të shtohet numri i seancave parlamentare, duke nënvizuar se ligjet po miratohen natën pa debat dhe pa asnjë transparencë.
“E keni kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një institucion pa vlerë. Ligjet po miratohen natën, pa debat dhe pa transparencë, në shkelje të hapur të çdo standardi parlamentar. Sillni në seancë nga 20 projektligje njëherësh, pa asnjë vëmendje, pa diskutim dhe pa përfshirje reale të opozitës. Kjo mënyrë funksionimi e zhvesh Kuvendin nga roli i tij kushtetues. Është e papranueshme dhe skandaloze që ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, me pasoja të thella për shoqërinë, të kalohen në orën 3 të mëngjesit, pa konsultim, pa transparencë. Shtoni numrin e seancave parlamentare. Ne si opozite ju themi qe jemi gati te punojmë. Por ju nuk doni debat. Strategjia juaj është e qartë. Të kalojnë në tymnajë ligje të rëndësishme, ligje që prekin drejtpërdrejt jetën sociale, ekonomike dhe publike të qytetarëve. Kjo nuk është rastësi, por një strategji e qëllimshme për të shmangur llogaridhënien, për të anashkaluar opozitën dhe për të minuar demokracinë parlamentare.
