Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e nisi fjalën e saj në Kuvend duke komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Tabaku e cilësoi dënimin e tyre si një ditë të trishtë për shqiptarët, ndërsa vlerësoi deklaratën e përbashkët të Kuvendit lidhur me vendimin. Megjithatë, ajo theksoi se, sipas saj, dashuria dhe përgjegjësia ndaj vendit duhet të shfaqen përmes veprimeve dhe vendimeve të institucioneve.

“Ta duash vendin tënd çdo ditë është më shumë se një deklaratë. Kjo shihet në çdo veprim e në çdo vendim”, u shpreh Tabaku.

Më tej, deputetja e opozitës u ndal te administrimi i fondeve dhe aseteve publike, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi kompaninë KAYO dhe sipërmarrësin Ron Yeffet.

Sipas Tabakut, rasti KAYO ngre pikëpyetje për mënyrën e përzgjedhjes së operatorëve, negocimit të kontratave, konkurrencës dhe përdorimit të ndihmës shtetërore.

Ajo pretendoi se rreth **34 milionë euro nga taksat e shqiptarëve** i janë dhënë KAYO-s brenda një periudhe dhjetëmujore, duke kërkuar transparencë mbi mënyrën se si janë përdorur këto fonde.

Tabaku përmendi gjithashtu rastin e një familjeje, e cila, sipas saj, ka humbur pronën për shkak të vendimit për ndërtimin e një fabrike të KAYO-s.

“Si u përzgjodhën këta operatorë? Si u negociuan drejtpërdrejt kontratat? Si u garantua konkurrenca? Si u përdor ndihma shtetërore?”, pyeti Tabaku nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja kërkoi gjithashtu përgjigje nga ministri i Mbrojtjes lidhur me pretendimet se qeveria shqiptare ka zhvilluar bisedime me kompaninë italiane IVECO dhe kompani të tjera, duke i kushtëzuar ato, sipas saj, të përzgjidhnin KAYO-n dhe Ron Yeffet si kontraktorë.

Tabaku e lidhi këtë çështje edhe me sektorë të tjerë, duke përmendur prokurimet në shëndetësi dhe kontratat e teknologjisë së informacionit. Ajo tha se në vitin 2024, sipas të dhënave që ka paraqitur, procedurat e prokurimit në shëndetësi arritën në rreth 26 miliardë lekë dhe rreth 700 tendera ishin shënuar me “flamur të kuq”.

Në fund të fjalës, Tabaku deklaroi se shqetësimet për KAYO-n, AKSHI-n, shëndetësinë dhe inceneratorët, sipas saj, tregojnë një model të përsëritur të administrimit të fondeve publike.

“Një grup i vogël njerëzish përqendron gjithnjë e më shumë kontroll mbi asetet publike dhe buxhetin”, u shpreh ajo, duke kërkuar më shumë transparencë dhe konkurrencë në përdorimin e parave publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb