Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e News24, ka folur për zhvillimet e aktualitetit politik në vend, duke u ndalur veçanërisht te puna për reformën zgjedhore dhe kushtet në të cilat ajo mund të realizohet.
Sipas Bylykbashiit, klima politike që shoqëron reformën zgjedhore, ashtu edhe atë territoriale, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon shteti sot dhe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga realiteti politik në vend.
“Situata që përcakton reformën zgjedhore dhe territoriale varet nga zhvillimet në funksionimin e shtetit. Nuk mund të flasim për reforma të izoluara nga ajo që po ndodh sot në Shqipëri,” u shpreh deputeti i PD-së.
Ai kritikoi mungesën e dialogut me mazhorancën, duke theksuar se nuk ka pasur komunikim real mes palëve. Sipas tij, procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është një shembull i qartë i mënyrës se si mazhoranca vepron pa konsensus.
“Një konsensus me dyer të mbyllura mund të jetë i mirë, por edhe i keq. Dialog real nuk ka pasur. Mënyra si u përzgjodh Avokati i Popullit e tregoi këtë. PD i kishte anuluar firmat, por Rama i përdori ato dhe bëri dredhi në një proces politik shumë të rëndësishëm,” tha Bylykbashi.
Duke folur për një dialog të mundshëm mbi reformën zgjedhore, ai theksoi se është i domosdoshëm një set i ri rregullash që të ndalojë, sipas tij, kapjen e procesit zgjedhor nga shteti. Bylykbashi nënvizoi se raporti mes partisë në pushtet dhe shtetit është prishur, çka e bën të pavlefshëm çdo proces zgjedhor.
“Është shkatërruar raporti i partisë në pushtet me shtetin dhe me këtë vdes çdo proces zgjedhor. Ky është edhe shqetësimi kryesor i ODIHR. Na duhen rregulla të reja,” theksoi ai.
Në fund, deputeti i PD-së u shpreh se sistemi aktual zgjedhor duhet të ndryshojë rrënjësisht, duke shtuar se partitë opozitare përfitojnë nga ky sistem, ndërsa humbja politike bie mbi kryeministrin Edi Rama.
“Ky sistem duhet të zhduket. Opozita përfiton, Rama humb, por dikush duhet të humbasë. Kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka ndërtimi i një procesi të drejtë zgjedhor,” përfundoi Bylykbashi.
