Klubi i Laçit duket se po shpërbëhet pak nga pak pas rënies në Kategorinë e Parë. Futbollistët e kurbinasve po largohen me radhë, duke lënë të kuptohet se projekti i ri i klubit të Laçit do të jetë me emra krejtësisht të ndryshëm.

Dje e kishte radhën anësori Indrit Prodani që të lajmëronte largimin e tij nga bardhezinjtë, me të cilët u bashkua në vitin e kaluar. Ka qenë vetë mbrojtësi ai që e ka shpallur “divorcin” me kurbinasit, vendim të cilin e dha përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale.

“Nga sot (dje) nuk jam më pjesë e KF Laçit. Dua të falënderoj presidentin Pashk Laska dhe trajnerin Moriero për besimin. Dua të falënderoj çunat dhe tifozët e Laçit, që ishin kaq të mirë, por fati nuk ishte me ne. I uroj Laçit sa më shumë sukses”, shkruante Prodani në rrjetet sociale, duke zyrtarizuar largimin e tij nga bardhezinjtë.

Prej një muaji te Laçi lajm përbën vetëm largimi i futbollistëve, të cilët nuk arritën që të shmangnin zbritjen e kurbinasve në Kategorinë e Parë. Samuel Opeh, Ulliam Melo Kordeiro, Kristian da Lima, Paulo Zhunior, Ilir Dobjani, Leo Ballhysa dhe Indrit Prodani janë futbollistët që janë larguar zyrtarisht deri në këto momente nga klubi laçian. Por lista e të larguarve pritet të jetë edhe më e zgjeruar, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë lojtari që është nën kontratë me Laçin.

PAS 16 VITESH- Në përfundim të sezonit 2024-2025, Laçi i dha lamtumirën Kategorisë Superiore, duke zbritur në Kategorinë e Parë pas 16 vitesh në elitën e futbollit shqiptar. Ka qenë fundi i një epoke të artë për kurbinasit, të cilët, pak nga pak, u kthyen në këto vite në një nga skuadrat më të qëndrueshme, madje edhe me paraqitje pozitive në arenën ndërkombëtare. Për herë të fundit, Laçi ishte pjesë e Kategorisë së Parë në sezonin 2008-2009, për t’u ngjitur asokohe përkrah Skënderbeut.

Dhe ashtu si korçarët, përkrah të cilëve bie përsëri një kategori më poshtë në këtë edicion, edhe ekipi kurbinas la shenjë në këto 16 vite në elitë, duke arritur rezultate mbresëlënëse e fituar trofe. Laçi ia doli që të fitonte Kupën e Shqipërisë në dy edicione, në vitet 2013 dhe 2015, si dhe Superkupën e Shqipërisë në vitin 2015. Gjithashtu, kurbinasit humbën edhe tri herë të tjera në finalen e Kupës dhe në një finale Superkupe. Laçi ka marrë pjesë në 7 edicione në Ligën e Europës dhe 2 herë në Ligën e Konferencës. Në 5 edicione, kurbinasit ia kanë dalë të kalojnë të paktën një tur në kompeticionet ku morën pjesë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb