Prej vitesh, Turqia është kthyer në një “oaz” për futbollistët shqiptar. Pas magjisë së Muçit ishte radha e dy legjionarëve kuqezi të gjenin rrugën e rrjetës në këtë javë të futbollit turk. Qazim Laçi gjeti golin në sfidën kundër Goztepe-s. Në minutën e 60-të, nga pika e bardhë e penalltisë, Laçi u tregua i saktë duke barazuar shifrat përkohësisht në 1-1.
Protagonistë në këtë takim ishte edhe Arda Kurtulan, zbulimi i Albana Bushit, por që ka vendosur të mos përfaqësojë për momentin Shqipërinë, pasi nuk dëshiron të jetë një huaj në Turqi, të marrë vendin e ekstrakomunitarit. Në fund, Goztepe triumfoi 3-1 përballë Rizespor.
Jo vetëm në Superligë, dy legjionarë kuqezi ishin protagonistë edhe në Kategorinë e Parë. Taulant Seferi, edhe pse nuk preferohet më nga Sylvinho vijon të jetë në formë. Sulmuesi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 45-të duke kaluar ekipin e tij Bodrumspor në avantazh.
Ky ishte goli i tij i 11-të sezonal, plus 4 asiste. Goli i Seferit nuk i shërbeu ekipit të tij të dilte qoftë dhe me një pikë nga takimi kundër Sivaspor, me këta të fundit që triumfuan 2-1. Në fund të këtij takimi, Arlind Ajeti u ndëshkua drejtpërdrejtë me karton të kuq.
