Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ditën e djeshme ka zhvilluar takimet me partitë opozitare në Prishtinë, sëbashkë me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Emisarët nga SHBA dhe BE vizitën në Kosovë gjatë ditës së djeshme e kanë vijuar me takime dhe përfaqësues të partive opozitare dhe të Listës Serbe.

Lidhur me takimet e së martës emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka bërë një postim në rrjetit social Twitter

“Emisari amerikan dhe unë, kemi takuar partitë politike opozitare në Kosovë. Me kënaqësi dëgjova mirëkuptimin e tyre për rëndësinë dhe mbështetjen ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.

Lajcak

Përfaqësuesit e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se në takim me diplomatët perëndimorë kanë shprehur mbështetje për dialogun si mekanizëm që siguron njohjen e ndërsjellë, pa e cenuar, sipas tyre, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi njoftoi se me Escobar e Lajçak kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe për rolin e PDK-së karshi këtyre zhvillimeve si udhëheqëse e opozitës në vend.

“PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke folur për takimin me emisarin amerikan dhe atë të BE-së, tha se i ka njoftuar ata për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut.

Ai bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me Escobar dhe Lajçak, ka thënë se ka ripërsëritur përkushtimin e Kosovës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, shkruan Telegrafi.

Në takimin me dy emisarët, atë të SHBA dhe BE, përfaqësuesit e Listës Serbe, kanë parashtruar shumë kërkesa.

Kujtojmë se përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, do të mbajnë sot një konferencë për shtyp.

Konferenca e Lajçak dhe Escobar do të mbahet përmes platformës online “Zoom”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: