I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar sot se javën e ardhshme do të mbahet një takim i ri në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku do të trajtohet çështja e përdorimit të dinarit në Kosovë.

Gjatë forumit “BE takon Ballkanin” në Sofje, Lajçak bëri thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa kur është fjala për ndalimin e përdorimit të dinarëve në Kosovë, tha se gjatë takimit të kaluar në nivel të negociatorët kryesorë të Kosovës dhe Serbisë më 4 prill, ai prezantoi idetë e tij në Bruksel, të cilat u pranuan nga të dyja palët.

“Pra, ne do të takohemi javën e ardhshme dhe shpresojmë të finalizojmë marrëveshjen bazuar në idetë e paraqitura nga BE,” tha Lajçak në mbledhje.

Ai përkujtoi se në pesë javët e fundit janë mbajtur katër takime të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, ku është diskutuar për çështjen e përdorimit të dinarit.

“Do të ketë një takim tjetër javën e ardhshme. Ne u gjendëm edhe një herë në një situatë ku duhet të merremi me pasojat e vendimit dhe të mos diskutojmë para se të marrim vendimin,” tha Lajçak. Ai gjithashtu vlerësoi se diskutimet ishin konstruktive.

“Të dyja palët po vijnë dhe atmosfera është më konstruktive se zakonisht. Unë do të thoja se ka përpjekje për të gjetur një zgjidhje,” vlerësoi Lajçak.

Ai shtoi se beson se nga të gjitha proceset në Ballkanin Perëndimor, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është procesi më strategjik sepse, siç tha ai, prek të gjithë rajonin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: