Kamber Sulçaj, autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi u vetëdorëzua në Policinë e Gjirokastrës. Sulçaj u paraqit në ambientet e policisë së bashku me një avokat, ndërsa dorëzoi armën e gjahut me vjaska, me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.

Biznesmeni italian Edoardo Sarchi u vra pas mesnatës së datës 26 shtator në aksin Nivicë-Salari. Si autor i dyshuar i krimit u identifikua dhe u shpall në kërkim 48-vjeçari nga Vlora Kamber Sulçaj dhe sipas hetimeve paraprake rezultoi se ngjarja ka nisur pas një konflikti verbal për motive të dobëta mes Sulçajt dhe viktimës, për dritat e makinës. 44-vjeçari italian ndodhej në shoqërinë e ortakut të tij, Eqerem Braçi dhe të djemve të këtij të fundit.

Pamjet nga kamerat e sigurisë ndihmuan policinë të gjurmonte lëvizjet e autorit të dyshuar. Gjatë kontrolleve në një zonë të thellë malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë, u gjetën të fshehura një automjet dhe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit. Pranë tyre, në shkurre, u zbulua edhe një çantë me mjete të dyshimta, përfshirë dylbi me rreze infra, dylbi termike, mbajtëse arme dhe një elektrik dore.

Kontrollet në banesën e Sulçajt dhe të familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë zbuluan mbi 2.5 milion lekë dhe euro, tre armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara Cannabis dhe dy kasaforta të mbyllura. Kamber Sulçaj do të përballet me drejtësinë për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb