Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj. Vendimi vjen një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci një prej emrave më kontroversë të botës së krimit, teksa ishte dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Menjëherë pas ngjarjes së djeshme, ministri i Drejtësisë i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve angazhim maksimal me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.
Po kështu ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës. Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e planifikuar nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
“Në vijim të ngjarjes së datës 13.01.2026, pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.”, sqaron drejtoria e Burgjeve.
***
Po kështu ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës. Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e planifikuar nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme në pranga u vunë 8 persona:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Nga vizita te arratisja, plani i mirëmenduar
Nga hetimet e para rezulton se më 13 janar 2026, Altin Ndoci ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili rekomandoi vizitë te mjeku kirurg në Spitalin Rajonal Durrës. I paraburgosuri është shoqëruar sipas itinerarit të përcaktuar: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP. Gjatë trajtimit mjekësor në pavionin infektiv, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Punonjësit e policisë e kanë shoqëruar, por ai ka kundërshtuar dhe i ka goditur, duke arritur të arratiset.
Pas ngjarjes, drejtori dhe i gjithë zinxhiri drejtues i institucionit të paraburgimit janë pezulluar nga detyra. Prokuroria po heton nëse Ndoci ka pasur bashkëpunëtorë brenda burgut për të realizuar arratisjen, si dhe arsyet pse një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore u vendos në një institucion paraburgimi me siguri të ulët.
Altin Ndoci ishte transferuar në Durrës në vitin 2020 dhe ndodhej në gjykim në dosjen “Plumbi i Artë” për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Urucit, si dhe për vrasje për llogari të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Copja. Dëshmitë e ish-drejtorëve të burgjeve pritet të merren gjatë hetimeve për të sqaruar përgjegjësitë në këtë arratisje.
